Klubet e Premier Ligës i kanë paralajmëruar lojtarët e tyre se nëse ky sezon anulohet, atëherë kontratat e tyre do të rishikohen dhe ata duhet të presin shkurtime të rrogës. Disa prej klubeve të Premier Ligës ua kanë bërë me dije yjeve të tyre se mund t’i humbasin kontratat aktuale nëse kampionati nuk përfundon, për shkak të gropës së madhe financiare që kjo lë pas.Madje, nuk do të rishikohen vetëm pagat, por edhe kohëzgjatjet e kontratave, shumë prej të cilave do të bëhen vetëm 1-vjeçare. Një numër skuadrash nga katër ligat kryesore të futbollit në Angli kanë rënë dakord me lojtarët e tyre që gjatë muajve të vështirë të pandemisë, të ulin pagat dhe t’i shtyjnë ato për të ndihmuar stabilitetin financiar.

Por nëse futbolli nuk rikthehet deri në gusht, atëherë ato mund të vendosin edhe uljen e përhershme të rrogave të tyre. Këtë javë, klubet e Premier Ligës arritën akordin me lojtarët në skadencë kontrate më 30 qershor, për t’i zgjatur ato deri në luajtjen e 92 ndeshjeve të mbetura të sezonit 2019-’20. Në këtë mënyrë, klubet do të jenë të qeta se do ta mbyllin këtë sezon me skuadrën që e nisën atë. Tashmë klubeve dhe futbollistëve u është lënë kohë deri në datën 23 qershor për të ripërpiluar rinovimet e kontratave.