Një vaksinë kundër COVID-19 po jep rezultate pozitive, por disi zhgënjyese në fazën e parë të testimit, sipas një studimi të ri të botuar të premten në revistën mjekësore “The Lancet”.

Vaksina e testuar në Kinë ofroi imunitet tek shumica e pacientëve, por jo tek të gjithë dhe shumë prej tyre patën efekte anësore, negative. Studimi është i pari që publikon rezultate nga faza fillestare e testimit të një vaksine kundër COVID-19. Më shumë se 100 të tjerë janë në zhvillim në të gjithë botën, përfshirë nëntë në prova klinike.

“Nëse do të ishte e vetmja vaksinë e disponueshme, mendoj se shumë njerëz duhet të trajtoheshin me të“, thotë Gary Simon, drejtuesi i departamentit të sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë dhe Shkencave të Shëndetit George Washington në kryeqytetin e SHBA-së Uashington, D.C. Megjithatë, ai shtoi se nuk e sheh këtë vaksinë të luajë ndonjë rol të rëndësishëm në raport me pandeminë.

Testimi paraprak i 108 vullnetarëve të shëndetshëm u krye në Wuhan të Kinës, ku koronavirusi u shfaq për herë të parë. Vaksina u zhvillua nga kompania me bazë në Kinë “CanSino Biologics” me mbështetjen e qeverisë kineze. Pas 28 ditësh, gjysma e atyre të cilëve të cilëve iu dhanë nivele të ulta apo mesatare dozash të vaksinës prodhuan antitrupa neutralizues, nga ai lloj që e bllokon infeksionin. Po kështu edhe tre e katërta e atyre pacientëve që morën doza më të madhe të vaksinës. Pothuajse të gjithë pacientët zhvilluan një përgjigje pozitive nga një pjesë e veçantë e sistemit imunitar, brenda 14 ditësh. Ende nuk dihet nëse secila prej këtyre përgjigjeve do të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur pacientët.

Kjo fazë e hershme e testimit nuk përcakton nëse vaksina funksionon apo jo. Ajo kishte si qëllim të testonte vetëm nëse vaksina është e sigurt dhe nëse sistemi imunitar i përgjigjet asaj. Vaksina u krijoi më shumë se gjysmës së pacientëve dhimbje në krah. Gati gjysma e tyre zhvilluan temperaturë, përfshirë një rast serioz. Rreth 40 për qind e personave patën dhimbje koke ose lodhje.

“Duke pasur parasysh që ekzistonte një çështje sigurie dhe se shumë prej pacientë nuk zhvilluan nivele të larta të antitrupave neutralizues, unë do të thosha se ky është një studim tejet i padobishëm“, thotë Paul Offit, drejtor i qendrës së edukimit mbi vaksinimin në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia.

“Nuk kam dyshim se do të ketë një numër vaksinash që do të zhvillohen që do të jenë më të sigurta dhe më të mira se kjo vaksinë” shtoi ai.

Studimi përfshin vetëm 28 ditët e para pas injektimit. Rezultatet përfundimtare do të vlerësohen në gjashtë muaj. Vaksina pritet të kalojë në një provë më të madhe testuese në Wuhan.

Raporti është më i fundit në një seri njoftimesh lidhur me zhvillimin e vaksinave disa prej të cilave ofrojnë lajme inkurajuese. Kompania “Moderna” thotë se vaksina e saj prodhoi antitrupa neutralizues në të tetë pacientët për të cilët ajo ka rezultate. Megjithatë kompania nuk i ka publikuar ende të dhënat dhe shkencëtarët kanë shprehur shqetësime mbi transparencën e këtyre gjetjeve.