Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojet Sociale Ogerta Manastirliu ka deklaruar se aktualisht situata është inkurajuese dhe ka tregues pozitivë.
“Eshtë përforcuar hetimi dhe gjurmimi i rasteve, ka një tregues inkurajues, me 11 raste në këto 10 ditë numri i të prekurve në ditë. Nga rezultatet që kemi nga testime, ku theksojmë se ka një rritje të numrit të testimeve, kemi pozitivitetin nën 5%, një indikator inkurajues për hetimin në terren dhe gjurmimin e kontaktve”, tha Manastrilu.
Nisur nga treguesit pozitivë, Manastirliu tha se do të vijohet me planin e rihapjes të përjavshme, bazuar në kushtet strikte sipas protokolleve të hartuara dhe vlerësimit të situatës epidemiologjike.
“Jemi në fazën e parë të rihapjes bazuar në strategjinë e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe kritereve epidemiologjike si numri i rasteve ditore, numri i shtrimeve në spitale apo atyre që kanë nevojë për kujdes intensive. Jemi duke planifikuar për të pasur hapje një javore, duke bërë një hapje graduale të kujdesshme qoftë të shërbimeve, bizneseve, duke pasur protokolle sigurie të vendosura për të garantuar shëndetin e qytetarëve. Për çdo aktivitet që do të hapet do të krijojmë protokolle specifike bazuar në nivelin e riskut që çdo biznes apo strukturë paraqet, duke përshkallëzuar të gjitha masat që çdo aktivitet duhet të ketë për të garantuar shëndetin e qytetarëve dhe të punonjësve”, tha Manastirliu.
Duke u shprehur se në këto 9 ditë nuk kemi asnjë humbje jete, Manastriliu tha se nuk kemi shpërthtime komunitare por vetëm infektime familjare nga COVID19.
“Vatrat janë familjare, nuk kemi shpërthime komunitare. Tirana mban vendin e parë sa i përket rasteve, Kruja gjithashtu ka numër të lartë, ku po punohet për gjurmimin e kontaktve, në Shkodër gjtihashtu po bëhet një punë e madhe dhe ka ende raste”, tha Manastirliu.
Duke komentuar vatrën e Fierit, Ministrja e Shëndetësisë përsëriti edhe njëherë apelin për qytetarët që të respektojnë distancimin social, masat e kufizimit të lëvizjes si dhe higjenën vetjake.
“Dua të apeloj qyetarët që rregullat nuk duhen thyer. Është një virus i rrezikshëm dhe nuk duhet të entuziazmohemi, ky është një realitet i ri që na bën që të dryshojmë zakonet tona”, tha Ministrja.