Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Samiti i Ballkanit Perëndimor i 6 majit është një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin historik, politik dhe financiar të BE-së për rajonin.

Balla theksoi se “Samiti është një mundësi për pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor për të konfirmuar aderimin e tyre ndaj sundimit të ligjit, demokracisë dhe reformave të vazhdueshme”.

Sipas Ballës, “Deklarata e Samitit të Zagrebit është një sinjal i rëndësishëm i vazhdimit të angazhimit të Bashkimi Europian ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Si bashkë-Kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri i bashkohem Deklaratës në emër të Parlamentit Europian nga Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, raportuesit dhe kryetarët e delegacioneve të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë mirëpresin Samitin e Ballkanit Perëndimor të 6 majit si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin historik, politik dhe financiar të BE-së për rajonin”, tha ai.

Qartazi në Deklaratën e Samitit të Zagrebit, sipas tij, “theksohet rëndësia e vazhdimësisë së bashkëpunimit të ngushtë edhe në kuadër të masave ndaj pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe pasojave ekonomiko-sociale të krijuara nga kjo pandemi”.

“Faleminderit Parlamentit Europian që vazhdon të jetë një përkrahës i palëkundur i procesit të zgjerimit përpara takimit të liderëve BE-Ballkan Perëndimor të 6 majit 2020. Shqipëria është e angazhuar për procesin e zgjerimit dhe do të vazhdojë në rrugën e reformimit. Ne mirëpresim rolin e Parlamenteve si një forcë shtytëse për procesin e zgjerimit. BE qëndron krah për krah me Ballkanin Perëndimor”, tha Balla.