Siç edhe jeni njoftuar sot zhvilluam mbledhjen e Komisonit të Reformës Zgjedhore, ku bëmë një raportim në lidhje me punën e bërë deri tani në Këshillin Politik. Pikat për të cilat ne kemi gjetur kompromis, por dhe çështje që kanë mbetur të hapura që kërkojnë natyrshëm, miratimin e pjesës tjetër të Këshillit Politik, të opozitës jashtëparlamentare. Qëllimi ishte që jo vetëm të informohen anëtarët, por dhe të organizohet puna e mëtejshme pasi Kuvendi na ka vënë në afat, që është Qershori i këtij viti dhe të them të drejtën, ky duhet të jetë afati i fundit, pasi çështja e Reformës Zgjedhore është futur në kalendarët e rëndësishme të progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe është një nga pikat themelore përpara se Qeveria Shqiptare dhe përfaqësuesit e BE do të ulen në konferencën ndërqeveritare. Prandaj, ajo që unë kam bërë publike dhe që përsëritëm edhe këtu, opozita jashtëparlamentare duhet ta shfrytëzojë këtë kohë të mbetur, sidomos këtë periudhë të mbetur të muajit Maj, në mënyrë që dhe në Qershor ne ti japim kohë Parlamentit të diskutojë lidhur me draftet dhe në fund ti miratojë ato.
Thirrja ime është shumë e thjeshtë sepse nuk e kuptoja mirë nga deklaratat e Partisë Demokratike dje apo opozitës në tërësi sepse nuk foli PD. Disa nga përfaqësuesit e opozitës lëshuan disa mesazhe kontradiktore që: a janë ata të gatshëm të vazhdojnë dialogun ata në Këshill apo konsiderojnë punën të ezauruar me ato drafte që kanë sjellë, pasi një pjesë e drafteve janë duke u punuar nga ekspertët dhe ka dakordësi, dhe a janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun. Normalisht puna u ndërpre për shkaqe objektive që ju i dini, pandemia e COVID-19 dhe masat e ndërmarra për të ruajtur shëndetin e publikut bënë që puna e atij Këshilli të ndëpritet, ne duhet ta rifillojmë aty ku e lamë. Vullneti ynë është i hapur, dora jonë është e shtrirë, ne presim që ta adresojmë këtë çështje sëbashku, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng një proces të rëndësishëm që nuk i përket vetëm disa partive, por u përket të gjithë shqiptarëve.
Pyetje: Z.Gjiknuri a keni biseduar me PD gjatë kësaj kohe për tu rikthyer në tryezë? Përgjigje: Unë kam bërë kontaktet e mia informale, kam folur edhe me përfaqësues të diplomacisë së huaj në Shqipëri për të nxitur dialogun. Nuk kam marrë një përgjigje definitive, nuk dua ti paragjykoj. Disa deklarata të djeshme nuk i kuptova mirë dhe i mbetet opozitës për ti qartësuar por një gjë është normale: kur je në një Këshill, je në një organizëm që ke rënë dakord, kemi një marrëveshje politike për tu ulur, është një punë e ndërprerë për shkaqe objektive jo për fajet tona dhe është krejt normale që ne duhet ta marrim aty ku e lamë dhe duhet të jetë në interesin e Partisë Demokratike që ky proces të vazhdojë. Në të kundërt ashtu siç e thashë, Parlamenti i ka votat, mazhoranca i ka votat e saj dhe ne do të përpiqemi dhe me opozitën parlamentare që të bëjmë numrin e nevojshëm të votave për Kodin Zgjedhor. Natyrisht dhe opozita parlamentare ka paraqitur problemet dhe kërkesat e saj që do duhet të bëhen pjesë e kompromisit, por çka është e rëndësishme është që ky Parlament është plotësisht legjitim për ta miratuar. Dëshira jonë ka qenë që opozita jashtëparlamentare të jetë pjesë integrale e këtij procesi, por nuk mund të kthehet kjo në një çek pa skandencë, ndryshe vendi mbahet peng.Pyetje: Z.Gjiknuri a i keni propozuar ju PD një orë dhe një datë për të mbledhur Këshillin Politik? Z.Gazmend Bardhi në intervistën që kam pasur para disa ditësh tha që nuk ka pasur asnjë ftesë dhe datë dhe se PD nuk është larguar ndonjëherë nga tryeza dhe as nuk ka ndërmend të largohet… Përgjigje: Nëse mbetet problemi për datën, megjithëse nuk kam parë vullnet në këtë drejtim, megjithëse nuk dua ti paragjykojë, natyrshëm që unë do të ndërmarrë hapa zyrtare, do ti drejtohem zyrtarisht PD në lidhje me këtë qëndrim që unë thashë. Pra, që janë për vazhdimin e dialogut dhe rifillimin e menjëhershëm, javën e ardhshme të Këshillit Politik aty ku e lamë, datën mund ta përcaktojmë dhe modalitetet mund ti përcaktojmë nisur dhe nga masat që janë ende në fuqi përsa i përket pandemisë, por besoj se kjo nuk do të jetë pengesë që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin.
Pyetje: Z.Gjiknuri do të mblidhet Këshilli Politik pa opozitën jashtë parlamentare?
Përgjigje: Këshilli Politik pa opozitën jashtëparlamentare nuk ka kuptim sepse Këshilli Politik është një mekanizëm negocimi mes Komisionit për Reformën Zgjedhore në Parlament dhe përfaqësuesve të opozitës që nuk janë në Parlament, kështu që nëse ata nuk duan të marrin më pjesë, më mirë ta thonë, t’ua thonë gjithë shqiptarëve ne e bëmë punën tonë, janë këto draftet që paraqitëm, le të na lenë ne pastaj të bëjmë punën tjetër.Pyetje: Z.Gjiknuri cilat janë pikat e pa dakordësuara në Këshillin Politik që ka sjell PD? Përgjigje: Po janë disa çështje që besoj janë bërë publike, si çëshja e administratës zgjedhore. Nëse ka një ndryshim që do të ishte thelbësor për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri është heqja dorë e partive politike nga administrimi i zgjedhjeve. Pra që zyrtarët zgjedhorë të raportojnë tek administrata zgjedhore dje jo tek partitë politike. PD e ka kundërshtuar këtë, megjithatë ne jemi duke diskutuar; ekspertët janë duke eksploruar disa formula kompromisi, që nuk cënojnë thelbin e kësaj që unë thashë, por njëkohësisht rrisin dhe disa garanci për PD apo opozitën në këtë proces, pra në procesin e depolitizimit. Nuk dua ti bëj publike sepse janë duke u diskutuar dhe unë shpresoj që ne kemi mundësi të gjejmë kompromis edhe aty. Çështja e Kolegjit Zgjedhor – Kemi thënë që ka ardhur momenti meqënëse Kolegji është diçka e përkohshme, derisa të krijohet Gjykata e Apelit Administrativ, që mendoj se në të ardhmen do jetë organi dhe forumi ku do të trajtohen mosmarrëveshjet zgjedhore, të zgjedhim gjyqtarët që kanë kaluar Vettingun. Këtë kanë kërkuar të gjithë shqiptarët dhe në fund të fundit ky ka qenë dhe objektivi i Reformës në Drejtësi. Edhe këtu kemi divergjenca, kemi këndvështrime të ndryshme. Pra këto janë disa nga çështjet themelore, pjesa tjetër e gjërave kryesisht janë adresuar. Kemi rënë dakord që të përfshihet teknologjia, kemi dhënë mundësi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në të ardhmen të adresojë dhe votën e emigrantëve. Pra i jepet kompetenca KQZ të përcaktojë rregulla të caktuara në mënyrën se si do të hidhet vota në distancë. Për të mos e mbajtur peng miratimin e Kodit Zgjedhor, por kur teknologjia, mjetet e tjera apo dhe integriteti i procesit është i tillë që e lejon, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me akte normative të mund ta çojë përpara këtë process. Pra nuk i kemi lidhur vetes duart vetëm me ligj, por u kemi dhënë mundësi organeve të reja të pavarura që të bëjnë rregulla të hollësishme në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve.Pyetje: A jeni gati të pranoni kërkesën e opozitës për qeveri kujdestare 3 muaj para zgjedhjeve? Përgjigje: Kam dhënë përgjigje për këtë. Çështja e qeverisë nuk është kusht i Reformës Zgjedhore. Qeveria është një çështje politike dhe unë e kam dhënë një herë përgjigjen për atë çështje, nuk i kthehem më sepse nuk dua të përsëris veten.