Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj e pranoi sot për herë të parë se paketa e dytë për pagën e luftës do të ndryshohet. Ministrja tha se jo të gjitha bizneset që janë përfitues të paketës së dytë kanë arritur që brenda afateve ta marrin pagën, prandaj ka propozuar disa ndryshime procedurale (Problemet që evidentoi dje Report Tv)
“Kemi nisur sot disa takime me biznesin kemi filluar nga biznesi i vogël, në rrugën e Elbasanit, të cilët në pjesën më të madhe kanë qenë të mbyllur dhe duke qenë të tillë kanë përfituar nga paketa e parë, për 3 muaj e pagës minimale.Jo të gjitha bizneset që janë përfitues të paketës së dytë kanë arritur që brenda afateve ta marrin pagën, kemi propozuar disa ndryshime procedurale, të cilat do të tejkalojnë edhe vështirësitë operacionale” tha Denaj gjatë takimeve në disa biznese në Tiranë. Ndryshimet pritet që të zyrtarizohen pasdite në vendimet e marra nga qeveria ditën e sotme.
Ndërsa drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj tha se për muajt mars-prill janë 38 mijë të larguar nga puna, të cilët pavarësisht nëse biznesi nuk aplikon, do të marrin direkt pagën e luftës.”Ne kemi ndjekur me shumë kujdes të gjithë procesin e ankesave të ardhura si nga individët ashtu edhe nga tatimpaguesit , të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë apo përfitojnë nga paketa e dytë.
Ne jemi bërë me dije me numrin total të të larguarve nga puna për periudhën mars-prill i cili është 38 mijë individë, dhe kemi bërë të mundur që këta individë të larguar nga puna për shkak të COVID-19 të përfitojnë nga paga e luftës.Që nga momenti i miratimit të ndryshimit, drejtoria e përgjithshme e tatimeve do të afishojë në faqen zyrtare të gjithë tatimpaguesit që do të jenë përfitues të këtij ndryshimi, të cilët do të kenë kohë deri më 5 qershor të aplikojnë njësoj si ka qenë procedura e aplikimit për paketën e dytë.
Pas datës 5 qershor bizneset që nuk do të aplikojnë, ne pagën do tua kalojmë direkt në llogari individëve që e përfitojnë nga kjo pagë duke arritur numrin 176 mijë persona”.Aktualisht janë 64 mijë e 964 individë që kanë përfituar Pagën e Luftës nga Paketa e Parë dhe 109 mijë e 664 që kanë përfituar 40.000 lekë nga Paketa e Zgjeruar.