Shqipëria do të ketë një Teatër dinjitoz Kombëtar, i cili do të ndërtohet si një investim me fonde publike duke plotësuar të gjitha kërkesat teknike të artistëve për vënien në skenë të shfaqjeve në mjedise krejtësisht të transformuara.Bashkia e Tiranës sikurse ka sqaruar edhe më herët, vendimi për ta ndërtuar godinën e re me fonde publike dhe jo përmes partneritetit publik privat (PPP), vjen në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili plotëson kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale.
Ndërtimi i teatrit të ri do të financohet tërësisht nga shteti, kërkesë kjo e ardhur gjatë negociatave nga vet artistët.“Kjo ndërtesë nuk ka qenë kurrë monument kulture, madje në 2007, ata që e përdorën më shumë politikisht këto dy vite e gjysmë këtë betejë, e hoqën edhe si mundësi për ta futur ndonjëherë në listat e monumenteve të kulturës, duke e konsideruar diçka krejt të pavlerë”, ka theksuar më herët në daljet publike kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj duke nënvizuar vendosmërinë për t’i thënë “po publikes, dhe do e financojmë vetë projektin e ri”.
E konceptuar të jetë edhe si zemra kulturore e kryeqytetit dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art, projekti i godinës të Teatrit të Ri ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore.Për arritjen e konsensusit mes Bashkisë së Tiranës dhe artistëve janë zhvilluar 12 takime të hapura, por edhe qindra takime individuale komunitetin e artistëve.Teatri i ardhshëm Kombëtar i Shqipërisë do të jetë në gjendje të presë një gamë të gjerë të shfaqjeve të drejtpërdrejta, me hapësira të dedikuara për shfaqje brenda dhe jashtë.