Moti i keq i kësaj të enjteje ka sjellë probleme në disa zona të vendit. Në Korçë, reshjet intensive kanë nxjerrë nga shtrati përroin e Porodinës, i cili ka përmbytur sipërfaqet e tokave të mbjella me kulturat e stinës në këtë fshat.Banorët thonë se prej kohësh kërkojnë një zgjidhje për sistemimin dhe thellimin e përroit, i cili këtë herë rrezikoi edhe jetën e banorëve.
“Më keq se kaq çfarë ka ndodhur. Unë rashë atje, desh u mbyta. Sa herë bie shi ne përmbytemi, nuk është hera e parë”, tregon një banor. “Dolën lumenjtë dhe u përmbyt fshati, rreth 15 familje. Bashkia nuk ka vënë dorë për asgjë. Njërit ju përmbytën bagëtia, tjetri desh u mbyt”, shton një tjetër.
Edhe në qytetin e Durrësit reshjet e shiut kanë përmbytur disa rrugë, duke sjellë vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Lagështira në rrugë u bë shkak edhe për 3 aksidente me 4 të lënduar në rrugët e qarkut të Elbasanit.
Sinoptikanët thonë se në mbrëmje do të ketë një përmirësim të motit.“Pritet që në orët e mbrëmjes të kemi përmirësim të kushteve të motit, duke bërë që ditën e nesërme, por edhe fundjava, deri paraditen e ditës së dielës të kemi kryesisht mot të kthjellët dhe vranësira të pakta. Duke filluar nga pasditja e ditës së dielës të kemi shtim të vranësirave dhe reshje shiu kryesisht në zonat veriore dhe lindore”.Nga java e ardhshme pritet një rritje graduale edhe e temperaturave.