Në ditën kombëtare të drejtësisë, ministrja Etilda Gjonaj ka folur për të gjithë proceset që po shoqërojnë reformimin e sistemit dhe ngritjen e drejtësisë së re.
Në një intervistë për gazetaren Anila Hoxha të Top Channel, Gjonaj e përshkruan reformën si një proces që ka vënë në përballje drejtësinë e re me te vjetren dhe me perpjekjet e vazhdueshme për ta denigruar, deformuar dhe ndikuar më ngritjen dhe funksionimin e drejtesisë së re.
Ajo shprehet se ka besim se reforma në drejtësi do të ecë përpara dhe shumë shpejt do të kemi drejtesinë funksionale në të gjitha nivelet, ku ndër të tjera përcjell edhe një mesazh për gjyqtarët dhe prokuroret gra në institucionet e reja të drejtësisë.
Teksa ndalet te korrupsioni, ajo shprehet se është një dukuri që e imponoi reformimin, dhe që do të vijojë ta shoqerojë sistemin edhe në këtë periudhë tranzitore. Ministrja e Drejtësisë nënvizon se disa gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë që do të largohen, po e shfrytëzojnë këtë kohë për të përfituar dhe për të deformuar imazhin e reformës, duke siguruar se këta prokurorë dhe gjyqtarë duhet jo vetëm të largohen por edhe të përgjigjen penalisht.
Gjithashtu, Gjonaj përcjell edhe një falenderim për partnerët Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian jo vetëm për mbështetjen e ofruar përmes misioneve të tyre por edhe për qendrimin e tyre si garanci për vetë reformën.
Më poshtë po pasqyrojmë intervistën e plotë të ministres Gjonaj:
Si do ta përshkruanit drejtësinë nga nisja e procesit të vetingut?
Reforma në drejtësi është reforma më e thellë e kryer në këto 30 vjet, një reformë që ka pasur dhe ka ende mbështetjen dhe shpresën e qytetarit shqiptar. Zbatimi i reformës është një proces që ka marrë dhe do të vazhdoj të marrë kohën e vet pasi është një proces kompleks që synon nga njëra anë shembjen e një mentaliteti dhe qasje të vjetër e regressive në sistem dhe ngritjen e një sistemi të ri drejtësie, themelimin e një prej 3 pushteteve kyc të demokracisë. Një proces që zhvillohet në një përballje me të vjetrën dhe përpjekjet e vazhdueshme për të denigruar, deformuar e ndikuar atë në ngritjen dhe funksionimin e tij. Vetingu padyshim është një nga komponentët kryesor të reformës, një proces që me rezultatet e dhëna ka provuar drejtësinë e ideimit dhe zbatimit të tij dhe vet domodoshmërinë e reformës në drejtësi. Rezultatet e tij edhe deri në këtë fazë kanë dëshmuar qartë pse qytetarët kishin humbur besimin te sistemi dhe përse ata kanë mbështetur e mbështesin fort reformimin e drejtësisë. Përparimet me këtë reformë kanë qënë një nga arsyet e vendimit të Këshillit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Sot në ditën e drejtësisë, gjyqsori ka humbur mjaft gjyqtarë dhe prokurorë, por ndërkoh vetingu është pezulluar për shkak të COVID – 19. A mund të sjelli pasoja kjo ndalesë e përkohshme përderisa mandati për këtë proces zgjat 5 vite?
Është e vërtetë se nga procesi i vetingut janë shkarkuar tashmë rreth 134 gjyqtarë e prokurorë. Po kaq e vërtet është edhe ana tjetër. Janë konfirmuar rreth 44 gjyqtarë dhe rreth 48 prokurorë cka dëshmon që në rradhët e sistemit kemi pasur dhe kemi mjaft profesionitstë me integritet dhe profesionistë të zotë të cilët japin shpresë për të bërë ndryshimin e duhur, për tju kthyer besimin qytetarëve te drejtësia, për ti kthyer pushtetit të gjyqtarit e prokurorit, pushtetit të drejtësisë, forcën dhe autoritetin e duhur si kusht për një demokraci të qëndrueshme dhe shtet të së drejtës. COVID-19 ishte dhe mbetet ende një dukuri që ka pezulluar jetën normale shoqërore në të gjithë botën dhe si i tillë nuk mund të mos ndikonte edhe në ecurinë e procesit të vetingut. Gjithsesi në dijeninë time gjatë kësaj periudhe puna në nivelin e parë të vetingut ka vazhduar me ritëm më të ulët por nuk është pezulluar, duke vijuar me punën hetimore. Shpresoj shumë që me masat për hapjen e aktivitetit në gjithë të vendin, të rifllojë puna edhe nga institutionet përkatëse të vetingut dhe shumë shpejt të shohim vijimin normal të seancave të gjykimit ne të dyja nivelet e vetingut por me ritme edhe më të shpejta.
Vëmëndja e publikut është përqëndruar te vetingu, por reforma në drejtësi përfshin një spektër më të gjerë. Cilat janë problemet me të cilat po ndeshen qytetarët në gjykata dhe prokurori?
Duhet të pranojmë se ndryshimet në sistem, në procesin e ngritjes së institucioneve të reja dhe riformatimin e atyre ekzistuese kanë sjellë dhe për pak kohë do të vazhdojnë të sjellin probleme në trajtimin e zgjidhjes së kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Sfida e reformës në drejtësi është që ndërkohë që nisi puna për reformimin dhe ngritjen e themeleve të reja të sistemit të drejtësisë, në të njëjtën kohë kërkohej edhe dhënia e shërbimit cilësor. Fillimi nga puna i ILD, GjL dhe GjK padyshim do të sjell shumë shpejt normalitetin në trajtimin e dosjeve gjyqsore. Ajo çfarë ndodh në pak kohë me gjyqtarët e rinj në GjL është mjaft inspiruese dhe një shembull shumë i mirë për institucionet e tjera të sistemit, për ritmin dhe performancën që duhet të dëshmojnë edhe në kushtet e mungesave të krijuara nga vet ecuria e procesit. Ka gjithsesi edhe disa element pozitiv që sapo kanë filluar të ndjehen në sistem sic janë rritja e aksesit, transparenca, komunikimi me publikun etj.
A vazhdon drejtësia të ketë të njëjtat nivele shqetësuese të korrupsionit?
Korrupsioni në sistem ishte dhe mbetet një nga arsyet bazë që imponoj këtë reform të thellë strukturore dhe njerëzore në sistem. Vetingu është treguesi më i mirë. Korrupsioni është një dukuri që do ta shoqëroj këtë periudhë tranzitore në sistem si një dukuri prezente. Në disa aspekte për gjyqtarë dhe prokurorë që janë të vetdijshëm për të ardhmen e tyre jashtë sistemit për shkak të asaj cfarë ata përfaqësojnë kjo është një peiudhë që po shfrytëzohet për të përfituar dhe disa edhe për të deformuar imazhin e reformës. Kjo është përkohshme dhe shpresoj që shumë shpejt këta individ që për fat nuk janë shumica jo thjesht të dalin nga sistemi por edhe të përgjigjen penalisht për cfarë kanë bërë dhe dëmin e madh që I kanë shkaktuar sistemit dhe vet shoqërisë me sjelljen e tyre korruptive.
Si minister e Drejtësisë a keni një mesazh në ditën kombëtare të drejtësisë?
Kam besim se reforma në drejtësi do të ecë përpara dhe shumë shpejt do të kemi një drejtësi funksionale dhe eficente në të gjithë nivelet e saj, një drejtësi që jep shpresë dhe besim te qytetari, garanci për rrugën tonë europiane. Dëshiroj të siguroj për mbështetjen e qeverisë dhe timen si ministre e drejtësise ndaj institucioneve të reja të drejtësisë në mirëfunksionimin e tyre. Në këtë ditë të dedikuar drejtësisë, një mesazh të vecantë kam për zonjat që shërbejnë si gjyqtare dhe prokurore, si pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe grave e vajzave që janë pjesë e stafeve të ssitemit të cilat bëjnë një punë me shumë përkushtim dhe në përballje me pengesa të shumta. Mbështetja dhe promovimi i tyre është një synim i punës sime edhe sepse jo vetëm se ato përbëjnë sot shumicën e sistemit por edhe sepse me integritetin dhe profesionalizmin e tyre janë një garanci e fortë për të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri. Në këtë ditë të veçantë të drejtësisë, një falenderim të vecantë edhe për partnerët ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe shumë vende anëtare mike të cilat përmes misioneve të tyre të asistencës janë duke dhënë një kontribut të cmuar në procesin e reformimit të drjtësisë shqiptare dhe janë njëherësh një garanci e madhe për të.