Reja ndodhet i izoluar në Itali dhe nuk mund të vijë dot në Shqipëri për të vazhduar punën dhe nisur projektin e së ardhmes. Situata e KOVID-19 ka bërë që trajneri i Kombëtares të qendrojë vetëm në shtëpi, duke marrë parasysh këtu faktin se është te grupmosha e rrezikuar. Në një intervistë për “Hipokrati”, ka rrëfyer edhe këtë periudhë të vështirë që është duke kaluar. Teksa nuk e fsheh mallin për t’u kthyer në vendin tonë, Reja shprehet se e vetmja gjë që e ka surprizuar me ardhjen e tij në Shqipëri, ishte ushqimi i mirë.“Më duket sikur jam kthyer në Shqipëri, edhe pse po bëjmë intervistë virtuale. Po më mungon Shqipëria dhe bari i fushës së lojës. Fatmirësisht jemi të gjithë mirë dhe jemi të mbyllur brenda tani. Unë kam dy muaj që rri vetëm në shtëpi me gruan time.
Përgjithësisht grindem, por këtë herë jemi grindur vetëm njëherë, është një mrekulli. Pra po qendroj prej kohësh vetëm me një person tjetër. Vajza rri në një qytet tjetër në Itali dhe flasim vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, kjo është një mënyrë e të jetuarit ndryshe, teksa të gjithë rrinë në telefon dhe punojnë në kompjutera. Unë nuk jam tip i rrjeteve sociale, por i komunikimit të drejtpërdrejtë. Pra më mungon fjala, nuk mund të flasë vetëm me gruan time. Kontakti me lojtarët dhe drejtuesit më mungon shumë.Më mungon shumë Shqipëri, më mungon Durrësi dhe ushqimi. Më pëlqen peshku shqiptar që ishte një surprizë për mua. Ka restorante të shkëlqyera, nuk e kisha menduar që mund të gjeja atë lloj ushqimi. Kam folur në javën e kaluar me 30-40 lojtarë të Kombëtares dhe i kam thënë që të ruajnë formën fizike. Disa kanë bicikletën në shtëpi dhe mund të punojnë, por gjithashtu i këshillojë që të ngjisin shkallët ku banojnë, është një ushtrim i mirë.
Futbolli në Shqipëri? Shpresoj që të rinisë, pasi ka një numër të vogël të të infektuarve. Kur ka nisur në Itali, atëherë duhet të nisë edhe në Shqipëri. Nëse bëhet me kushtet e duhura dhe me masat e nevojshme, pasi virusi nuk është shaka, atëherë duhet të rinisë. Kur do të kthehem në Shqipëri? Të nesërmen pasi të hapet kufiri. Duhet të afrohemi pak më shumë edhe me Federatën për të nisur projektin e së ardhmes. Tani do i them edhe Ramës që të hapë të paktën udhëtimet nga Venecia”, e mbyll duke qeshur Reja.