Bundesliga rikthehen e para magjinë e futbollit pas më shumë se dy muajsh mungesë për shkak të COVID-19. Në kampionatin elitar gjerman u luajtën këtë të shtunë shumica e ndeshjeve të javës së 26-të, mes të cilave spikaste derbi i Ruhrit mes Borussia Dotmundit dhe Schalkes 04. Një derbi pa shumë histori dhe i dominuar totalisht nga verdhezinjtë, që fituan me rezultatin e thellë 4-0.
Erling Haaland zhbllokoi rezultatin që në minutën e 29-të, i shërbyer në perfeksion në qendër të zonës nga Hazard. Talenti norvegjez rezulton gjithashtu të jetë autori i golit të parë të Bundesligës pas pauzës së gjatë.
Dortmundi shkoi në dhomat e zhveshjes në epërsi të dyfishtë, pasi portieri Schubert gaboi në rinisjen e topit, duke ia dorëzuar Brandt, që i dha mundësi Guerreiros të shkundte për herë të dytë rrjetën e Schalkes brenda pjesës së parë.
Dominimi i Dortmundit, që dukej se ishte përgatitur shumë më mirë gjatë kësaj periudhë, u pa qartë edhe në fraksionin e dytë, me Torgen Hazard dhe sërish Guerrieron që vulosën shifrat në 4-0.
Në takimet e tjera spikati fitorja 0-3 e Herthas së Berlinit në fushën e Hoffenheimit (Agpoguma aut 58’, Ibisevic 60’, Cunha 74’). Wolfsburgu arriti të mposhtë në kohën shtesë Augsburgun 1-2 (Jevdaj 54’/Steffen 43, Glinczek 90+1’), ndërsa dy sfida të tjera përfunduan në barazim: Leipzig – Freiburg 1-1 (Pulsen 77’/Gulde 34’) dhe Dusseldorf – Paderborn 0-0.