Vetëm pak javë përpara se në Tiranë të ndizej debati për shembjen e Teatrit Kombëtar, “The Guardian” publikoi një artikull, në të cilin renditeshin 30 teatro historikë, shumica shekullorë, që pritet të shemben për t’i hapur rrugë zhvillimit. Vetëm një numër i tyre do të shndërrohen në skena moderne, të tjerët do të mbyllin përfundimisht perden për t’u zëvendësuar nga godina biznesi, blloqe banimi, etj.
Nga Londra, në kryeqendrat e tjera kulturore të botës, prishja e teatrove të vjetër për shkak të mosplotësimit të nevojave moderne të artit, për shkak të rrezikut nga zjarri apo thjesht për shkak të rënies së të ardhurave që nuk justifikojnë më aktivitetin e tyre është një ngjarje krejt e zakonshme. Këto janë disa prej rastet më të famshme:
Paris Janë të paktën 43 teatrot parizienë të shembur apo shkatërruar në dy shekujt e fundit. Disa nga rastet më të njohura janë: Teatri “Alhambra-Maurice Chevalier”, ndërtuar për të pritur shfaqje operistike në vitin 1866. Amortizimi dhe pamundësia për të përmbushur nevojat moderne sollën shembjen e tij përfundimtare në vitin 1967. Një teatër i ri, që mban të njëjtin emër është ngritur në vitin 2008, 300 metra larg vendndodhjes së të vjetrit.Teatri “Theatre de l’Ambigu Comique”, një prej më të vjetërve në Paris, i ndërtuar në vitin 1769 dhe i shkatërruar nga zjarri në 1827. i rindërtuar sërish pas zjarrit, deri sa për shkak të amortizimit u vendos për prishjen e tij përfundimtare në vitin 1966, duke mbyllur kështu një histori 2-shekullore.
Teatri “Pigalle”, i vendosur në rrugën me të njëjtën emër, një vepër madhështore e financuar nga Philipe Rothchild në vitin 1929, me qëllim që të shndërrohej në teatrin më modern të botës. Rënia e të ardhurave dhe keqmanaxhimi bëri që teatri të shitej në 1958. Edhe pse relativisht i ri, struktura madhështore bashkekohore nuk pengoi prishjen e tij disa vite më vonë. Sot, mbi teatrin e vjetër janë vendosur parkime dhe ofiçina.
Nju Jork – Lista e teatrove të shembur në Nju Jork pas 1900 është prej 45 teatrosh.
E njohur në media si “masakra e madhe e teatrove”, në vitin 1982, 5 teatro historikë “Morosco”, “Bijou”, “Gaiety” dhe 2 “Astor Theatres” u shkatërruan njëkohësisht për t’u zëvendësuar nga qiellgërvishtësi i “Marriot Hotel”, brenda të cilit u ndërtua një teatër i ri modern “Marquis Theater”. Opera e madhe madhështore e Manhatanit, “Grande Opera House”, ndërtuar në vitin 1868 me një shumë rekord për kohën, u shkatërrua në 1960 si pjesë e rikualifikimit të të gjithë zonës së “Penn South”, ku u zhvilluan blloqe të larta banimi.
Gjermani – Rasti më klasik është ai i “Düsseldorfer Schauspielhaus”, ndërtuar në vitin 1747 nga Mbreti Karl Theodor si një teatër madhështor për të argëtuar aristokracinë e kohës dhe i dhuruar për qytetin në vitin 1818 nga Mbreti Friedrich Ëilhelm II i Prusisë, teatri u shemb në vitet 1960. Në vend të tij, u ngrit një teatër modern shumë i njohur në ditët e sotme, në gjendje për të plotësuar nevojat moderne të artit.
Moskë – Vetëm pak muaj më parë, në Moskë u shemb kinemaja më e famshme e kohës së komunizmit, një objekt me një fasadë ekstravagante që ngjall një nostalgji të veçantë për shumë moskovitë sepse ishte ndër të vetmet që transmetonin filma të huaj ne ate kohe. E ndërtuar në vitin 1959, në një prej rrugëve më të famshme të kryeqytetit pranë teatrit të famshëm “Bolshoi”, kinemaja “Solovey” u shemb në vitin 2019 sepse nuk plotësonte më standartet kundër zjarrit. Në vend të saj po ndërtohet aktualisht një bllok i lartë banimi./LEXO.AL