Nga Irsa Ruçi/ Tirana është në sytë e mi zgjatim i shtëpisë, fusha që shtrihej në horizontin e një fëmije si një hapësirë e paanë përtej të cilës nuk mund të kishte asgjë tjetër veç lulëkuqeve dhe ullinjve. Lagjia ime ishte prona ime, kur pasditeve bridhja në ato hapësira lirie për të mbledhë ullinj bashkë me time gjyshe, e kështu shijoja vajin e bërë nga duart e mia. Por, ndërkohë që unë rritesha, shihja sesi zvogëlohej pak nga pak lëndina që përbënte identitetin, fëmijërinë, qytetin, pasurinë e krenarinë time; dhe në vend të jeshillëkut sytë më zinin betonieret, ndërsa në ullinjtë e mi rrinin varur tabela të mëdha shkruar shtrembër “tokë e xanun”. Nuk dija ta shpjegoja ç’domethënie kishte ai togfjalësh dhe ndërgjegjja fëmijnore më rebelonte aq shumë, saqë një ditë, bashkë me kushëririn moshatar, vendosëm të përgjonim gjithë ditën kush i kishte vendosur ato tabela ilegalisht dhe atë planprishës ta qëllonim me llastiqet me gur.

Dështova ta mbroj të paprekur aromën time të mëngjesit, bukurinë e pazëvendësueshme që më kishte rritur, ato rrugica të baltosura, guriçkat ku pengohesha, shenjat e të cilave i kam nëpër këmbë ende sot. Por, ndërsa rritesha u lumturova që Tirana ishte kjo: e përulura, madhështorja, mikëpritësja që kurrë nuk mbylli dyert, ky qytet i cili bëri vend për këdo që e deshi. U rrit, ndonjëherë me dhembje, u deformua shpeshherë, i mbinë ngado kioska, barake që shisnin brekë në zemër të saj, gabi që lulëzonte mu bash vendit, Lana u pshurr për tu kthyer në një hale publike dhe për shumë kohë, dy pikat e referimit të kryeqytetit, Parku Rinia dhe Liqeni Artificial ishin të frikshme për t’iu afruar, pasi ngado shihje shiringa e sytjena kapicë dhe parku qe kthyer në motel publik, ku libidoja provinciale shpërthente rrokullisjeve në bar. Titania jepte ngadalë shpirt duke ndjerë si gllabërohej nga shëmtia dhe askush nuk ndihej. Secili në fatin e tij, duke “xanë” një copë tokë prej Tirane, e duke duke lënë varur bashkë ma mallin në vendlindjen e tij një tjetër tabelë në derë: “mos ma prek tokën se të vrava”.

U desh që Tirana të shihej artistikisht, të kishte mbi kokë një çun tirane me vizionin për ta pikturuar me ngjyrat e jetës, u desh të duhej me liri, t’i jepej dritë që ajo që ngrinte sërish kokën. Edi Rama la gjurmën e madhështisë mbi Tiranë; dhe këto fjalë janë shumë të ftohta politikisht e shumë njerëzore për idealin e mbrujtur qysh fëmijë se Tirana është bota, e cila merrte formë qysh sa dilja nga pragu i derës. Për herë të parë pas shumë viteve në agoni Kryeqyteti zemërmadh mori frymë, jetë, iu kthye gjallëria, bukuria, u projektua dhe ndërtua si çdo metropol europian, u shembën baraket dhe u çliruan hapësirat publike, u jeshillua e u madhua, aq sa u kthye në një ëndërr: Ëndrra me qenë “tirons”. E pati kushdo, e ndjeu gjithkush, e deshi secili. Për herë të parë, kushdo që shkelte Tiranën ndjente se kishte një jetë në të.

Sot tema më e nxehtë është teatri, dhe unë nuk dua të bie në qorrsokakun e një përballjeje politike; dua ta ruaj të paprekur dashurinë për Tiranën time, për Shqipërinë time, vendi i cili më lidh pas një ideali, pavarësisht viteve që shkojnë. Dhe me forcën e kësaj dashurie për qytetin ku linda dhe jetoj vitet, dëshiroj ta shikoj tek lulëzon.
Dua që në thelb të Tiranës të marrë formë një vepër arti, i denjë për modernizimin dhe ritmin kryeqytetas. Dua një teatër të ri, pa tallash, pa depo minjsh që sillen vërdallë, të shoh rijetësimin e tempullit më të lartë të kulturës që qëndron krenarisht, jo duke pritur të bjerë mbi kokë, si një teatër i hidhur i realitetit, çatia që për 77 vjet nuk i është vënë dorë. Simboli i artit, simboli i madhështisë së këtij vendi duhet të ndriçojë si një xhevahir për të falënderuar brezat që shkuan, për ne dhe për brezat që do e trashëgojnë. Ndërtimi i një tempulli arti siç e ka çdo vend i zhvilluar i botës, është detyrim ndaj gjithë artistëve tanë të mëdhenj që janë pjesë e kujtesës historike dhe kombëtare, të cilët kurdoherë dhanë shpirtin e tyre edhe në kushte pune të mjerueshme. Një regjisor i njohur ka thënë: “Në art, para së gjithash, duhet ta shikosh dhe ta kuptosh të bukurën.”

Unë dua atë që prodhon teatri, forcën e mesazheve që lindin së brendshmi nga talenti si virtyti më i lartë njerëzor, nuk jam e lidhur me godinën që nga pikëpamja arkitekturore nuk ka asnjë lidhje me konceptin mbi të cilin krijohet imazhi dhe funksioni i teatrit. Dhe kjo nuk është politike, është thjesht njerëzore, për tu kthyer pas në kohë, kur çdoherë që shkoja në Teatër “humbja” me dashje diçka: një vath, një unazë, një çokollatë a çfarëdo, thjesht sepse mendoja se kështu do ishte dhe gjurma ime aty. Për hir të kësaj dashurie që ndjej për të bukurën, unë dua që çdo artist që e shkel teatrin të kuptojë se është i denjë për atë vend, të ketë forcën dhe bindjen se po qëndron në një sallë pa ndryshim nga një koleg i tij në Londër, Paris a kudogjetkë.

Dhe artistët e mëdhenj, jo çirakët e politikës dritëshkurtër, e meritojnë vëmendjen, e meritojnë tu dhurosh një vend të denjë ku të dridhen emocionesh, jo së ftohti. Ju lutem mos politizoni atë që është thesari i këtij kombi, mos politizoni artin. Sa për pjesën që flet për “kujtesë historike”, dua tu kthej përgjigjen e arkitektit që e ideoi Tiranën. Këto fjalë me të cilat u konceptua kryeqyteti, le të jenë një akt reflektimi për të gjithë ata që nuk e duan të bukurën dhe kanë protestuar pa një bosht argumenti, thjesht për të marrë vëmendje mediatike “qyl”, gjithçka që është ndërtuar këto vite: “Një arkitekturë e gjallë, që pulson, që paraqet bukurinë e harmonive rioshe larg atyre që quhen proporcione tradicionale, por që identifikohen me bukurinë që mund të krijohet nëpërmjet teknikave të reja, që nuk ecën me kokën mbrapsht dhe sytë e fiksuara në të kaluarën, por sheh përpara dhe vetëm ndonjëherë ndalon për tu përkulur me respekt mbi VEPRËN e paraardhësve tanë.” Vepra e korifejve tanë të artit do mbetet gjallë përjetë dhe në përulje ndaj emrave që s’vdesin kurrë, le të duartrokasim këtë djep kulture që do të ringjallë sërish teatrin si mendësi e ushqim shpirti dhe do na bëjë më të ndjeshëm ndaj artit.