Nga historitë e suksesit të programit IPARD është dhe Marjanë Gjondrekaj, përfituese e grantit për “Pajisje për mjeljen e qumështit” në masën 1, Sektori i qumështit, me një vlerë totale të grantit prej 200,500 euro.

Ferma e qumështit të Marjanë Gjondrekaj në Shkodër po përpunon qumështin më shpejt dhe me më shumë cilësi. Falë mbështetjes së BE-së përmes programit IPARD, ajo modernizoi procesin e mjeljes duke vënë në funksion pajisje të reja mjelëse, të cilat gjithashtu çuan në uljen e punës fizike.

Duke përcjellë rastin e Marjanës, ambasadori i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca shprehet se “kriza e COVID-19 po shkakton ndikime të mëdha në ekonominë shqiptare”.
“Megjithatë programi ynë i BE-së, IPARD për modernizimin e sektorit bujqësor po ndihmon fermerët shqiptarë dhe bizneset agropërpunuese për kapërcimin e kësaj krize. Investimi i kryera tashmë përmes granteve tona po ndihmojnë fermat, si ajo e qumështit Gjondrekaj në Shkodër, të ketë pajisje dhe të sigurojë prodhime më cilësore”, u shpreh ai.

“Me qëllim që të jemi edhe më efikas Komisioni Europian, propozoi dje 16 masa që lejojnë IPARD të trajtojë më mirë ndikimet negative të pandemisë. Investimet nëpërmjet IPARD do të sigurojnë gjithashtu, që pasi kriza të ketë përfunduar, ekonomia rurale e Shqipërisë të jetë më moderne, produktive dhe e qëndrueshme”- tha Soreca.

Ndërsa Marjana shprehet se falë pajisjes së re teknologjike, puna e saj fizike është reduktuar dhe prodhimi i qumështi është rritur.

Frida Krifca, Drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, u shpreh se “rreth 40% e aplikantëve janë nën moshën 40 vjeç dhe 20% prej tyre janë fermere femra. Vetëm në thirrjen e dytë të programit IPARD kemi pasur një kërkesë prej 82 milionë euro në investime të reja në ferma, agroturizëm e agropërpunim”.

Krifca shprehu bindjen se “padyshim që është ky program ai që do të transformojë sektorin bujqësor dhe agropërpunues në vend”.