Sezoni turistik është shumë pranë, por në kushtet e pandemisë së koronavirusit të bërit plazh për shqiptarët do të jetë shumë e vështirë, madje dhe me shumë kosto. Në dokumentin që “Shqiptarja.com” ka siguruar mbi protokollet rigoroze që duhet të ndjekin bizneset gjatë sezonit turistik thuhet se çadrat duhet të jenë 3.5 metra larg nga njëra tjetra.

Në çadër nuk do të ketë më shumë se dy persona dhe vetëm nëse janë nga e njëjta familje do të lejohen. Të gjithë pushuesve do t’u matet temperatura dhe do të plotësojnë një formular para se të futen në plazh, kjo do të thotë që mund të kemi edhe stafe mjekësore.

Shqipëria në sezonin veror të vitit 2020 do të jetë krejt ndryshe nga çfarë kemi parë vitet e kaluara. Shqiptarët nuk do të kenë mundësi të argëtohen nëpër plazhe. Nuk do të ketë “beach bar” apo ” schiuma party”. Kjo do të bëjë akoma më të vështirë një sezon veror për të rinjtë shqiptarë, të cilët kur vjen puna tek argëtimi, nuk kursehen.

Rregullat për shërbimet në bare dhe restorante. Shqiptarët janë njerëzit që preferojnë më shumë baret dhe restorantet. Po si do t’i përjetojnë ata rregullat e vendosura në protokollet e autoriteteve?

Vendosja e tavolinave në bare dhe restorante do të bëhen duke respektuar një maksimum prej 4 personash për çdo 10 metër katror. Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesë e pasme të një karrige tjetër, të jetë më shumë se 1 metër larg dhe klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1 metër.

Nuk dihet si do ta përjetojnë shqiptarët këtë situatë, por një gjë është e sigurt: Të gjithë të distancuar dhe ndoshta një kafe të shpejtë si italianët.

Rregulla strikte në hotele.Një pjesë tjetër e rëndësishme gjatë sezonit veror është edhe akomodimi në hotele, të cilët do të ndjekin dhe zbatojnë 7 rregulla që lidhen me higjienizimin.Përveç menaxherit, do të duhet të punësohet edhe një menaxher tjetër për monitorimin e pushuesve dhe zbatimin e rregullave të vendosura nga protokollet.

Shtatë rregullat që duhet të zbatojnë hotelet

1. Përcaktoni një menaxher për të monitoruar zbatimin e masave, sigurimin dhe respektimin e listës së kontrollit sipas Protokollit të vendosur.2. Vend i dedikuar për të kontrolluar temperaturën dhe të verifikohen me kujdes punonjësit. Sigurohuni që ata që kanë vizituar vendet e prekura nga COVID-19 ose janë nën njoftimin/statusin “Qëndrimi në shtëpi – Urdhri i Karantinës” , te mos jenë si punonjës/ pushues në hotel pa përfunduar afatin e përcaktuar të karantinimit.

3. Kur është e mundshme dhe e zbatueshme, të aplikohet në vendin e dedikuar kontrolli i temperaturës dhe të jenë të asistuar vizitorët/ pushuesit e hotelit nga punonjës të institucioneve shëndetësore. Të zbatohen masat e duhura për distanca të sigurta për pushuesit/ vizitorët.4. Të rritet frekuenca e dezinfektimit për të gjitha objektet më të zakonshme të përdorimit, dhe siguroni që punonjësit të respektojnë higjienën e mirë personale.5. Të jetë e garantuar që gjithë zinxhiri i protokollit të kontrollit është në funksion për të menaxhuar raste të dyshuara nga COVID-19.6. Sigurohuni që ka dokumente dhe regjistrime të të gjitha masave parandaluesve.7. Siguroni respektimin e urdhrave dhe udhëzimeve të qeverisë dhe këshillimeve shëndetësore për COVID-19.

Por sa të vështira dhe të kushtueshme do të jenë për bizneset dhe për pusheshit këto masa strikte?

A do të rriten kostot?

Bizneseve do t’i duhet të shtojnë personel për të respektuar protokollet e vendosura nga autoritetet, që së bashku me shpenzime të tjera operative do t’i duhet të rritin çmimin në kurriz të pushuesve. Kjo mbase do t’i duket shqiptarëve sikur po kalojnë pushime me kosto të ngjashme në Antalia apo vende të tjera turistike jashtë vendit./ shqiptarja.com/