Maturantët e këtij viti do duhet të gjejnë forma të tjera për të festuar mbylljen e 3 viteve shkollë, pasi nuk do të ketë mbrëmje mature. Koronavirusi ka anuluar një nga festat simbol të maturantëve, mbrëmjen e maturës. Lajmi është dhënë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila në përgjigje të pyetjeve të shumë nxënësve, ka dhënë lajmin jo shumë të mirë që mbrëmjet e maturës janë anuluar pasi janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve.
“Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”, njofton Shahini.Sa i përket rikthimit në shkollë më 18 maj, Shahini ka njoftuar se kush mendon se mund t’i bëjë provimet pa pasur nevojë për konsultime, atëherë nuk është e nevojshme që të rikthehen në bankat e shkollës.
“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”, tha Shahini.
Duke u ndalur tek provimet, Shahini ka njoftuar se në dispozicion të maturantëve duke filluar nga nesër (e hënë, 4 maj) do të ketë komunikime të përditshme nga ana e Rezana Vrapi, drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) mbi elemente dhe detaje të ndryshme të këtij provimi. Ajo shprehet se “paralelisht, platforma akademi.al ka xhiruar pyetje dhe zgjidhje të detyrave për provimet kryesore në matematikë dhe shkenca, të cilat do t’i transmetojnë në RTSH.
“Jam e bindur që sivjet do të jeni më të përgatitur se kurrë më parë për të bërë provimin e maturës”, përfundoi ministrja.