Mjeku Tritan Kalo ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të respektojnë masat dhe të kujdesen që të ruajnë distancimin fizik dhe të mbajnë maska kurdoherë në mënyrë që dhe lehtësimi gradual të mos kthehet në bumerang dhe të na ‘djeg’ të gjithëve. Kalo shprehet se deri tani vendi po ecën mirë, por nëse nuk kujdesimi për vetën në radhë të parë dhe të zbatojmë masat ky trend dhe mund të na përmbyset, prandaj mjeku kërkon kujdes maksimal qytetar gjatë hapjes graduale që ka nisur që ditën e sotme dhe do të vijojë me javët në vazhdim.

Statusi i plotë i mjekut Tritan Kalo: E diel 3 maj 2020….një ditë e re pune…nis me udhëtimin në urban për në QSUT, në shërbimin e sëmundjeve infektive, të njohur edhe si covid-1….takimi në mbledhjen e mëngjesit, që vijon me informimin nga shërbimi i urgjencës për ecurinë e 24 orëve të rojës…këqyrja e të sëmurëve së bashku me kolegët….diskutimi mbi problematikat e shëndetit të tyre e leximi për t’u informuar për gjithçka, që sot ka të bëjë me këtë virus tinzar sars-cov2 dhe sëmundjen të cilën ajo shkakton, covid-19…..fatmirësisht jemi në kushtet kur përpjekjet tona në bashkëpunim dhe në mirëkuptim me popullatën, kanë bërë që numri i të sëmurëve të mos i kapërcejë mundësitë e kapaciteteve të infrastrukturës shëndetësore parësore, dytësore dhe terciare për t’i trajtuar ato….një trend i tillë edhe mundet të përmbyset nëse nuk vijojmë të bëjmë kujdes gjatë hapjes graduale që po ndodh…..distancimi fizik, përdorimi i maskave kurdoherë që është e mundshme, higjiena vetjake dhe ajo e mjedisit ku jetojmë e punojmë, hidratimi i duhur, ushqimi i shëndetshëm, vijimi i marrjes së barnave për sëmundjet kronike (hipertoni, pamjaftueshmëri të zemrës, lëndimeve kronike të veshkave, mushkërive, kyçeve, diabetin, etj.), do të na mundësojnë që vijojmë të ruajmë këtë trend pozitiv të ecurisë së covid-19 në vendin tonë…ju duam dhe ju respektojmë të gjithëve….aty ishim jemi dhe kurdoherë do të ndodhemi për t’ju ndihmuar, por ndihmën më të madhe mundet t’ia jepni vetvetes duke u kujdesur për të si dhe zbatuar këshillat tona…me shumë siguri bashkë do ja dalim!!!