22 Maj, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndarë në faqen e saj në Facebook një videomesazh nga Ass. Prof. Krenar Lilaj, i cili ka koordinuar shërbimin e Anestezi- Reanimacionit në dy spitalet COVID. Në video mesazhin e publikuar nga Manastirliu, Ass. Prof. Krenar Lilaj thotë se mjaft pacientë janë shëruar falë ndihmës dhe përkushtimit të stafit mjekësor. “Në sajë të ndihmesës jo vetëm të mjekëve, por edhe të gjithë stafit mjekësor, mjaft pacientë u shëruan. Me keqardhje mund të them se pati edhe humbje, por na u desh të luftonim me një sëmundje e cila në disa raste ishte mjaft e vështirë për t’u trajtuar. Megjithatë, falë punës dhe sakrificës jo vetëm të mjekëve por të të gjithë stafit mjekësor, mbështetjes së qeverisë dhe qytetarisë që treguan të gjithë qytetarët, duket sikur e keqja po kalon”, thotë Lilaj në mesazhin e publikuar nga Manastirliu.
Në mesazhin e tij Lilaj thotë se pavarësisht se po i rikthehemi normalitetit dhe se epidemia po mundohet, ajo nuk eshte asgjesuar, ndaj apelon për kujdes nga qytetarët.
“Të mos harrojmë ditët e fillim marsit. Ende duhet të tregohemi të kujdesshëm që vështirësitë e kësaj epidemie të mos përsëriten. Ajo po mundet, por ende nuk është asgjesuar. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë rregullat e distancimit fizik dhe sidomos të higjienës. Vetëm kështu do t’i rikthehemi sërish normalitetit të plotë”, nënvizoi Lilaj në mesazhin e tij.
Mesazh ndërgjegjësues i Ass.Prof. Krenar Lilaj
Doktor Krenar Lilaj, në vijën e parë të përballjes me #COVID19, ka kryer një punë të lavdërueshme për koordinimin e shërbimit të anestezi reanimacoinit në dy spitalet #COVID. Sot mjeku i njohur ka një mesazh për të gjithë qytetarët: Të tregohemi të kujdesshëm, të zbatojmë rregullat e distancimit fizik dhe sidomos të higjienës, sepse vetëm kështu mund t'i rikthehemi normalitetit të plotë.#KrenarePërMjekët#BASHKË
Gepostet von Ogerta Manastirliu am Freitag, 22. Mai 2020