Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se grupi i përbashkët i punës i Komitetit Teknik të Ekspertëve me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit do të finalizojnë proçesin e nisur për hartimin e protokolleve të posaçme për aktivitetet sportive. Manastirliu tha se Komitetit Teknik i Eksperteve po vlerëson me përparësi edhe hapjen graduale të aktiviteteve sportive, sipas strategjisë së rihapjes të hartuar nga ky komitet.

“Asnjëri nuk është vetëm në këtë betejë. Të gjithë jemi bashkë. Dua ta falenderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që në momentin e parë mori masat për ndërprerjen e kampionatit. Sot i është drejtuar Federatës edhe shkresa zyrtare për ngritjen e një grupi të përbashkët për vlerësimin e disa masave për hapjen graduale të futbollit me disa shkallë dhe me protokolle strikte”, tha Manastirliu në një intervistë televizive.