“Në 18 Maj nxënësit rikthehen në bankat e shkollës, por do të jenë vetëm maturantët të cilët do të marrin leksione për maturën. Në bazë të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, i gjithë procesi mësimor do të zhvillohet nën rregulla strikte. Në hyrje të shkollës do të jetë një personel mjekësor i cili do të masë temperaturën e nxënësve, ndërsa këta të fundit duhet të jenë deri në 2 metra larg njëri-tjetrit”.
Në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë që mban datën 4 Maj, shkruhet se nxënësit do të hyjnë dhe do të dalin në një orar të caktuar nga shkolla, dhe se gjatë gjithë ditës nuk do të lejohet të ridalin dhe rihyjnë në ambientet e shkollës. Nxënësit duhet të jenë të pajisur me maska. Dhe përpara hyrjes në shkollë do të dezinfektojnë duart. Po ashtu nuk do të lejohet të zhvillohen orë kulturore dhe sportive. Në urdhrin anti-covid, shkruhet se nuk do të lejohet ushqimi në klasa, apo qëndrimet në korridore. Për klasat me numër të lartë nxënësish, do të bëhet ndarja e tyre në dy salla të ndryshme.
Dritaret duhet të mbahen të hapura ose të ajrosen deri 6 herë gjatë ditës. Përsa i përket kushteve higjieno-saniatre, urdhri thotë se ambientet e shkollës duhet të dezinfektohen pas përfundimit të mësimit. Për nxënësit që shkelin rregullat anti-covid do të ketë penalizime.