“Objektivi i përgjithshëm i huasë 190.4 milionë dollarëshe, është sigurimi i një pjese të nevojave për financim të buxhetit të shtetit për vitin 2020, që lidhen me nevojat e shtuara jashtë parashikimeve fillestare, për shkak të goditjes nga COVID-19”, deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Denaj ishte e pranishme në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për paraqitjen e projektligjit “Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”.
Denaj bëri me dije për komisionin, që objektivi i përgjithshëm i kësaj huaje, afërsisht 190.4 milionë dollarëshe, është sigurimi i një pjese të nevojave për financim të buxhetit të shtetit për vitin 2020, që lidhen me nevojat e shtuara jashtë parashikimeve fillestare, për shkak të goditjes nga COVID-19. Si argumente mbështetëse të këtij vendimi, Denaj listoi formën e shpejtë të sigurimit të parave të nevojshme, të siguruarit të kësaj huaje në një monedhë të fortë (SDR – special drawning rights), dhe marrjen e kësaj huaje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjë që sipas saj jep mundësi për krijimin e një linje mbrojtjeje të financave publike e të ekonomisë, në rast risqesh të tjera në periudhën në vijim.
Denaj shprehu falënderimet e saj për institucionet ndërkombëtare, FMN-në dhe KE-në, për një instrument të ngjashëm me financimin e shpejtë. Ministrja e Financave njoftoi komisionin se në fund të qershorit po mendohet një akt i tretë i rishikimit të buxhetit, që mund ta zgjerojë deficitin buxhetor. Ministrja Denaj sqaroi se norma e interesit të kësaj huaje është 4,05% dhe afati i maturimit 3,5-5 vjet. Komisioni, pas pyetjeve dhe diskutimeve të deputetëve, e miratoi këtë projektligj. Mbledhja u zhvillua përmes platformës Cisco Webex.