Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 276 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 23 raste të konfirmuara pozitive, 12 prej të cilave në Tiranë. 8 janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe 4 janë raste të reja në proces hetimi. Nga hetimi i thelluar epidemiologjik në QSUT, ku jane testuar 57 personel shëndetësor dhe pacientë, dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.
6 raste janë konfirmuar në Mat, kontakte të një paciente në QSUT dhe 4 raste në Lushnje, kontakte të rasteve pozitive të konfirmuar më herët në Tiranë dhe 1 rast i ri në Durrës. Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 23 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 851 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15,500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1099. Prej tyre, mbi 77% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 215 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të kujdesshëm. Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore. Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e brrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit.
Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.