Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson njoftoi një ditë më parë lehtësimin gradual të masave duke thënë se nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, dhe nga dita e mërkurë, do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.
Por ai nuk foli për lehtësim të izolimit edhe në lidhje me takimet mes miqve apo familjarëve që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi, e kjo duket ka shkaktuar pështjellim.
Moderatori i njohur Pierce Morgan tha se masat e kryeministrit, nuk kanë kuptim. “ Mund të shoh mijëra të huaj në park, por nuk mund të shoh djalin tim?” është shprehur ai.
“ Nuk i kam parë dy djemtë e mi prej 10 javësh, dhe ata jetojnë vetëm 10 minuta larg”, shtoi Morgan. Të dielën në Mbretërinë e Bashkuar u konfirmuan 269 vdekje të tjera nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i viktimave, që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në 31,855.