Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e festës së Bajramit, uroi qytetarët e fesë islame, me dëshirë që festën ta kalojnë me gëzim, shëndet të mirë dhe harmoni me më të afërmit.
“Në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, pas një muaji agjërim, dëshiroj që të dëgjohen të gjitha lutjet tuaja dhe te të gjithë besimtarët të mbizotërojë solidariteti, mirëkuptimi dhe ndihma për ata që kanë nevojë për ndihmë. Kjo festë le të na rikujtojë se vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe me respektim të ndërsjellë do të mund t’i mbajmë në jetë vlerat që na bashkojnë dhe na sigurojnë mirëkuptim ndërnjerëzor dhe një të ardhme më të bukur”, thuhet në urimin e presidentit të shtetit.Qeveria maqedonase vendosi dje që kjo fundjavë të ketë masa të rrepta për lëvizjen e qytetarëve, ku ndalimi do të jetë nga nesër në orën 11:00 deri në orën 05:00 të ditës së martë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme plotësoi vendimin për ndalesë dhe regjim të veçantë të lëvizjes në gjithë territorin e shtetit me të cilin përcaktohet ndalesë për lëvizje të popullatës dhe automjeteve nga transporti publik duke filluar nga e diela, 24 maj, në orën 11:00 deri të martën më 26 maj në orën 05:00”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Sot, ndalesa për lëvizje mbetet e njëjta si edhe për ditët tjera, nga ora 19:00 deri nesër në orën 05:00.Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak të faljes së Fitër Bajramit, miratoi një seri masash që duhen zbatuar në çdo xhami më 24 maj.
”Namazin e Sabahut (lutje e mëngjesit) është vendosur që besimtarët ta bëjnë në shtëpi. Falja e namazit të Fitër Bajramit nuk duhet të jetë më e gjatë se 15 minuta, maksimalisht të shmangen përshëndetjet me kontakte fizike, të anashkalohen vizitat në varreza gjatë Fitër Bajramit, vizitat tradicionale duhet të jenë sa më pak të jetë e mundur, dezinfektimi i xhamive, mbajtja e detyrueshme e maskës, pastrimi i duarve me dezinfektues në hyrje të xhamisë ose mbajtja e dorezave, çdo besimtar duhet të ketë sixhade personale”, thuhet në vendimin e Bashkësisë Fetare Islame.Për shkak të situatës aktuale me koronavirusin, kjo bashkësi ka anuluar organizimin e manifestimit qendror tradicional të faljes së Fitër Bajramit.Ndërkohë, Myftiu i Tetovës ka njoftuar se bashkë me kolegët e tij, namazin e Fitër Bajramit do ta falin në Xhaminë Eski Tetovë.