Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përmes një letre të publikuar sot i kërkoi kryetarit të Partisë Demokratike ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke i kujtuar se po bëhen 10 muaj nga angazhimi i tij për këtë çështje. Aleanca për mbrojtjen e teatrit fillimisht kujton se më 25 korrik 2019, “ne, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), kemi nënshkruar një kontratë me ju, si kryetar i PD dhe Opozitës së Bashkuar”.
Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet: “Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.”
“Sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate dhe ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë”, shprehet Aleanca.
“Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021”, përfundon letra drejtuar Bashës.