Kryeministri Edi Rama e cilësoi të shkëlqyer punën e kryer deri tani në frontin e mbrojtjes së shëndetit nga COVID-19 ndërsa u kërkoi qytetarëve që me lehtësimin e masave të vazhdojnë të jenë të përgjegjshëm me qëllim që të mos kemi kërcim të frikshëm në numra të të infektuarve.
“Kemi bërë një punë të shkëlqyer në frontin e mbrojtjes së shëndetit të njerëzve që duhet të vazhdojë dhe këtu jemi të rrezikuar seriozisht nga injoranca, të rrezikuar nga papërgjegjshmëria, nga mungesa e durimit që çon në konkluzione të rrezikshme se virusi është një komplot i madh ndërkombëtar, grip i zakonshëm dhe jo më larg se para se të vija këtu, kam parë sesi në Korenë e Jugut janë rimbyllur të gjitha baret dhe restorantet sepse pas hapjes së tyre ka pasur një kërcim të frikshëm te numrave të të infektuarve. Që do të thotë që ne nuk do të mbyllemi nga frika, por duhet të shmangin rimbylljen nga përgjegjshmëria dhe injoranca. Është shumë e rëndësishme. 99.9% e popullit shqiptarë janë treguar fantastikë, por mjaftojnë pak njerëz, 10, 100. Nuk duhen 1 mijë njerëz për ta rikthyer përsëri armikun e padukshëm në avantazh ndaj sistemit tonë shëndetësore”, -u shpreh ai.
Rama nuk hezitoi t’iu përgjigjej edhe akuzave për vjedhje të financimeve të BE-së në Shqipëri, para për të cilat tha se monitorohen rreptësisht nga vetë BE.
“Puna me sistemin shëndetësor vazhdon falë edhe mbështetjes së Bashkimit Europian, por dua të përfitoj nga rasti t’i them atyre që ankohen se paratë e vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian tanimë janë vjedhur, se ndërkohë paratë e vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian sapo kanë nisur të disbursohen dhe janë të monitoruara rreptësisht nga BE-ja. Nuk janë para që vijnë me valixhe dhe ndahen në mënyrë imagjinare, por janë fonde që dedikohen dhe strukturohen me projekte të qarta që ndiqen dhe monitorohen nga vetë BE-ja”.