Nga Artur Ajazi

Ish-mandatdjegurit e Partisë Demokratike, ata që e lanë pushkën në llogore dhe ja mbathën, ata që deri dje nuk flisnin në foltoren e Parlamentit dhe sapo ikën prej andej nisën të bënin “trimin”, ata që e lanë partinë e “Dhjetoristëve” në duart e kambistëve të politikës, tanimë po kërkojnë nga kryetari të bëjë “revolucionin demokratik”. Kam dëgjuar shpesh këto ditë nga Doktori, nga ish-mandatdjegurit e djeshëm, apo dhe nga deputeti “demokrat” i listës së mesnatës Lefter Maliqi, të deklarojnë “kupa u mbush, po derdhet, duhet nisur revolucioni demokratik, Rama duhet larguar sa më parë”.

Madje ekzaltimi i tyre, arriti kulmin kur Doktori partisë refuzoi i pari ftesën e sinqertë të kryeministrit Rama për takimin në një tryezë të përbashkët për integrimin në BE, (bashkë me Ilir Metën) duke kërkuar nga Basha, që edhe ai të mos shkojë. E ndërsa vendi dhe shqiptarët duket se po e kalojnë në paqe situatën e COVID-19, falë masave dhe angazhimit maksimal të strukturave të Ministrisë Shëndetsisë dhe organeve të tjera të pushtetit vendor dhe qëndror, të vetmit që duan “nisjen e revolucionit demokratik”, në një vend demokratik, janë komandantët pa ushtarë.

Një parti e mbetur fillikat, e (pa) tradhëtuar veçse nga aleatët e saj, kërkon pushtet dhe jo zgjidhje krize, kërkon zallamahi dhe jo qetësi, kërkon vëmëndje , edhe pse është jashtë çdo axhende si brënda ashtu dhe jashtë vendit. Por ja që edhe në Partinë Demokratike, paskan mbetur akoma ithtarë të “revolucioneve demokratike”, edhe pse periudha postkarantinë, duhej ti kishte fashitur me kohë.

Duke parë dhe lexuar reagimin e Lulzim Bashës lidhur me ftesën e kryeministrit Rama për tryezën e përbashkët, bindesh sa politikë të dobët bën akoma kryetari de jure, i një partie të shpartalluar. Bindesh sa mbrapa ka mbetur njeriu që dikur Doktori e prezantoi para mbështetësve të tij si “e ardhmja e PD, gjeniu i kombit, politikani europianist”, që edhe pse e ka katandisur partinë si një degë lokale, sërish nuk po e beson se nuk mund të ringrihet mbi mashtrime dhe bllofe.

Për të gjithë ata që i kërkojnë sot Lulzimit “kupa u mbush, të nisë revolucioni demokratik” apo “të mos shkojë tek takimi me Ramën, sepse atje do të jetë edhe Meta”, i kujtoj planet me 5 dhe 15 pika të kryetarit të tyre, që prezantonte nga SHQUP-i, edhe pse Edi Rama kishte siguruar mbi 1 miliardë euro për përballimin e pasojave të tërmetit, apo për “stradegjinë afatmesme të përballimit të COVID-19” që Lulzimi servirte përmes specialistëve të tij apatikë, si “kofini pas të vjelit”, edhe pse janë të bindur në mbështetjen popullore që Edi Rama ka marrë dhe vazhdon të marrë për aftësinë e tij në përballimin e dy krizave të fundit. Këto dhe shumë fitore të tij, duhet ta bindin çdo mandatdjegur, apo mandatfituar sipas listës “rrence” të Lulzimit, se “revolucioni demokratik” do këllqe, do aftësi, do vizion, do elitë intelektuale, do mbështetës, dhe mbi gjithçka tjetër do parti, jo celulë milionerësh.