Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për sa i përket qeverisë së re në Kosovë. Sipas deklaratës së bërë nga Kurti thuhet se Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit. Përgjigja e Kryeministrit në detyrë Kurti mbi masën e përkohshme të kërkuar:
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020 Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit.
“Parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë”, thuhet në një komunikatë për media të zyrës së kryeministrit në detyrë.
Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. “Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”.