Mjeku infeksionit, Prof. Pëllumb Pipero tha sot për DW se për pandeminë COVID-19 nuk mund të bëhen parashikime.

“Kemi të bëjmë me një virus të ri, nuk kemi ende të dhëna të mjaftueshme për të. Por mund të them se deri tani epidemia në Shqipëri ka ecur me një tendencë të qëndrueshme, ulje rastesh të reja si në aspektin epidemiologjik, pra më pak raste të konfirmuara pozitive, ashtu edhe në atë klinik, më pak raste të shtruara në spital. Shtimi i viktimave tregon se jemi ende nën efektin e pandemisë. Sëmundja që shkakton COVID-19 është e rëndë sidomos në pacientë të moshuar, me sëmundje kronike bashkë shoqëruese. Ndërkohë, duhet të vë në dukje, se në këtë fazë të dytë të epidemisë nuk kemi asnjë mjek apo infermier të infektuar”, thekson Pipero.

Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 7 raste të reja të infektuarish duke e rritur numrin e tyre në nivel kombëtar në 789 nga të cilët 519 janë shëruar. Numri i pacientëve aktivë është 239, i të shtruarve 31, nga të cilët 7 janë në terapi intensive.

DW shkruan se lehtësimi i shtetrrethimit këtë fundjavë me mot të keq dhe shira, ka nxjerrë nga banesat të moshuar, të rinj e të reja dhe qytetarë në orët e lejuara. Pas më shumë se 50 ditësh besimtarët katolikë kanë patur sot mundësi të shkojnë në Katedralen e tyre të Shën Palit në Tiranë, për të ndjekur ceremoninë fetare të fundjavës. Lehtësimi i masave ka lënë të pandryshuara dënimet e ashpra për shkelësit e orareve të caktura të liri-daljeve. Mesazhi i pandryshuar edhe në këtë fazë të dytë të epidemisë mbetet ruajtja e distancimit social, vendosja e maskave dhe zbatimi strikt i masave higjenike.