Presidenti francez Emmanuel Macron dhe grupimi i tij ‘La Republique en Marche’ kanë humbur maxhorancën absolute në Asemblenë Kombëtare pas krijimit zyrtar të një grupimi të majtë.

Partia e re e quajtur “Ekologji, Demokraci, Solidaritet”, u shpall nga bashkë-presidenti i saj Matthieu Orphelin, ku përfshihen dhe 17 deputetë të parlamentit të Francës. Shtatë prej tyre janë të larguar nga grupimi i Macron, LREM, çka redukton numrin e tyre në 288, poshtë pragut të maxhorancës absolute prej 289 vende. Por megjithatë Macron mund të mbështetet në maxhorancën e tij të fortë, të aleancës ku përfshihen 46 anëtarë të Partisë së Lëvizjes Demokratike, dhe 10 anëtarë të Partisë Agir. Aleanca e Macron, LREM mund të rifitojë maxhorancën absolute nëse arrin të joshë zëvendësuesin e Olivier Gaillard, i cili po lë mandatin për t’u bërë kryebashkiak. Analistët francezë thonë se humbja e mbështetjes për Macron ishte e pritur dhe po ndodhte prej vitit 2017, kur maxhoranca e tij zotëronte 313 vende.