Datat e provime të Maturës Shtetërore nuk do ndryshojnë, por për shkak të pandemisë covid-19, ndryshime do ketë në mënyrën se si do të zhvillohen provimet.Drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi tregoi për Report Tv se testi do përbëhet vetëm nga pyetje alternative dhe se këtë vit do të zgjasë 2 orë.
“Nuk do të ndryshojë sasia e pikëve do të jenë sërish 60 pikë si vitin e kaluar, por do të ndryshojë natyra e pyetjeve. Në maturën 2019 kemi pasur vetëm 20 pyetje me alternativa, këtë maturë do të kemi 60 pyetje me alternativa. Do të reduktohet pak edhe koha e provimit nga 2 orë e 30 minuta do të jetë 2 orë për të reduktuar sa më shumë ekspozimin e studentëve”, tha Vrapi.
Këtë vit në provimet e maturës nuk do të jenë të përfshira temat e zhvilluara nga data 9 mars e në vijim. Testet do të korrigjohen në mënyrë elektronike, pra përmes skanerëve.
“E gjithë matura shtetërore do të korrigjohet përmes skanerëve dhe vetëm për këtë vit në të kalojmë vetëm në pyetje me alternativa”, tha Vrapi.
Për 31.111 maturantë të këtij viti, pragu i kalueshmërisë do të jetë 25% e totali të pikëve. Në cdo klasë nuk do të lejohen më shumë se 15 nxënës dhe mes tyre do të ketë distancë prej 1.5 metra.
Drejtoresha e QSHA ka dhe një njoftim të rëndësishëm për të gjithë kandidatët nga vitet e kaluara të cilët nuk kanë plotësuar formularin A1Z.
“Ata që kanë humbur një ose disa provime në vitet e kaluara të bëjnë aplikimin pasi do e kenë të pamundur për të hyrë në këtë provim pa këtë aplikim. Pasi të hapet shkolla për maturantët do të hapim portalin dhe për një periudhë 1 javore do të krijojmë mundësinë për A1Z”, tha Vrapi.
Deri më datë 30 qershor maturantët do ti kenë përgjigjet e testeve dhe më datë 1 Korrik do marrin diplomën maturantët që kanë aplikuar për jashtë vendit. Në ditët në vijim do shpërndahen diplomat dhe për pjesën tjetër.