Tatimpaguesit që nuk aplikojnë për pagën prej 40 mijë lekësh për punonjësit e larguar nga puna, do të penalizohen, ndërsa punonjësit do ta përfitojnë këtë pagesë në mënyrë automatike, edhe pa aplikim.
Në një intervistë për TV SCAN, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, sqaron se deri tani regjistrohen 102 mijë aplikime, dhe se masa 2 dhe 4 janë shkak për vonesa në proces dhe ritmin e ulët.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka parashikuar që 15 maji të jetë afati i fundit i aplikimeve, por kjo do të vendoset edhe në varësi te ritmit të tyre.
Drejtoresha e Tatimeve thekson se brenda të Premtes do procesohen të gjitha aplikimet e bëra deri më tani, ndërsa bën me dije se sektorët që kanë përfituar janë tregtia dhe riparimi i automjeteve, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, aktivitetet e shërbimeve, industria përpunuese, etj.
Aplikimet për kategoritë e punonjësve qe përfitojnë pagën prej 40 mijë lekësh të vënë në dispozicion nga qeveria në kuader të situatës së krijuar nga Covid-19, janë hapur më 21 prill.