Pas 70 vjetësh solistët dhe trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë tashmë hapësira të transformuara rrënjësisht, ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, Nju-Jork apo Tokio, njësoj si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të ambienteve të reja të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtoresha e TKOB, Zana Çela.

“Sot në hapësirën e transformuar rrënjësisht të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku pas 70 vjetësh solistët e trupa jonë, si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë, do të ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, Nju-Jork apo Tokio, m’u kujtua një grevë urie e artistëve që këndonin korin e skllevërve të “Aidës” me rripa të kuq në kokë, duke luftuar kundër idesë sime si ministër kulture asokohe, për reformimin radikal të sistemit teatror”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “plot dy dekada të humbura mes lagështisë, pluhurit, vapës e të ftohtit, degradimit të viteve dhe rënkimeve të dërrasave të skenës e të karrigeve, qoftë këtu e qoftë në të ashtuquajturin Teatër Kombëtar, ku arsyeja e mosarsyes e bashkuar me politikën e pengimit të çdo pune, krijuan vitet e fundit një shesh të radhës, për një përshesh të radhës”.

Kryeministri Rama u shpreh se “kjo është e pabesueshme, ndaj kur ua thua thonë na i kanë me hile sepse po nuk e pe dhe po nuk e preke, nuk i beson dot ata që të thonë na jep mundësinë bëjmë se për ty e kemi”.

Ministrja Margariti u shpreh se “kemi 90% të punimeve të përfunduara. Afati sipas kontratave ishte fundi i majit, por gjithsesi mund të ketë një zgjatim të kohës”.

“Në sallën kryesore të shfaqjeve kemi rekuperuar në të dy krahët e sallës janë vende ulje të rinj është studiuar pjesa e akustikës e ballokoneve, ndërsa salla e regjisë kontrollon gjithë pjesën e skenës. Një vend të rëndësishëm zë edhe akriva ,e cila më parë nuk ka ekzistuar dhe është një hapësirë e re dedikuar Teatrit. Ndërsa biblioteka do ti shërbejë jo vetëm artistëve që janë në teatër , por edhe studentëve dhe kërkuesve të tjerë që duan të vijnë të aksesojnë materialet e ndryshme që ka arkivi”, – nënvizoi Margariti.

Sipasa saj, gjithë ideja e hapësirave është që të ketë gjithmonë një komunikim me sheshin “Skënderbej”.

“Po ashtu edhe salllat e provave janë të gjitha të rionovuara dhe kanë filluar tashmë të përdoren nga artistët. Edhe këtu panelet e akustikës janë të studiuara që në projekt edhe më pas kur është bërë kolaudimi i sallës janë rimontuar aty ku ka qenë e nevojshme”, – tha ministrja duke shtuar se kemi hapësira të shtuara për artistët për provat.

Drejtoresha e TKOB, Zana Çela u shpreh se “artistët janë shumë të kënaqur me akusitikën në ambientet e reja të teatrit”.

Salla kryesore e shfajqeve ka 801 vende, ndërsa akustika e saj ka një kualitet të jashtëzakonshëm.