Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet e kantierit të Lungomare 2, në Vlorë, ku është projektuar një plazh i ri natyral përgjatë buzës së detit. “Një plazh urban me rërë mbi shëtitore, dy pishina publike, një olimplike e një për fëmijë, parkim e shërbime të klasit të parë për vlonjatët e për turistët”, tha Rama.
Duke inspektuar punimet për realizimin e projektit, Rama kërkoi që punimet të ecin me ritme të shpejta. Kryeministri u informua nga inxhinierët e projektit se afati i përfundimit të punimeve është tetori 2021, ndërsa u kërkoi atyre që projekti të përfundojë deri në qershor 2021, për festën e fëmijëve.
“Këtu do të bëhet plazhi më i bukur i Vlorës, do jetë si Jala, do të jetë fantastik, pasi plazhi vjen në vijë të drejtë. Plazh me 5 yje”, tha Rama. Ai u njoh me detaje të tjera të projektit, i cili është vazhdim i Lungomares dhe veç plazhit publik parashikon edhe segmente me shkallare në det.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli informoi Kryeministrin Rama se janë parashikuar tunele dhe nënkalime nën rrugë me dalje në Lungomare.