Kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri në një intervistë për një media vizive tha se puna e tryezës së Reformës Zgjedhore do të mbyllet brenda majit. Ai gjithashtu nënvizoi se nuk mund të vihet si kusht në një dialog asgjësimi i atij me të cilin dialogon.
“Synimi është që brenda majit ne të mbyllim gjithë procesin e konsultimit politik për të gjetur të gjitha marrëveshjet e nevojshme për pikat e diskutueshme për të arritur në kompromis. Besoj se qershori është mëse i mjaftueshëm për të ndjekur procedurat në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe më pas në Kuvendin e Shqipërisë”, shprehet Gjiknuri.
Duke folur për punën që do të zhvillohet të hënën, Gjiknuri tha se “kemi akoma dy çështje të patrajtuara, problemin e reformës së sistemit zgjedhor, propozimet që ka sjellë opozita jashtë parlamentit dhe si kërkojmë të adresojmë disa probleme të mbetura dhe për këtë duhet të biem dakord të vazhdojmë përpara duke përfshirë ekspertizën e ODIHR”, u shpreh Gjiknuri.
Në lidhje me propozimin e PD për qeveri tranzitore, Gjiknuri tha se “nuk mund të negociohet me parimin: që të quhet e pranuar dua të asgjësohet ai që dialogun me mua”.
“Nga kjo pikëpamje, kjo është një çështje që e ka gjetur përgjigjen e saj që te dështimi i protestave të opozitës dhe dhunës së rrugës dhe përgjigja për këtë është dhënë me kohë. Nuk besoj se qeveria teknike është zgjidhja, por dua të qëndroj strikt të puna e komisionit zgjedhor, që ka të bëjë me reformimin e legjislacionit zgjedhor dhe jo të zgjidhim problemet e tjera kushtetuese që mendon opozita”, tha Gjiknuri.