Përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiiknuri deklaroi sot se, “Partia Demokratike propozoi që Kolegj Zgjedhor të jetë Gjykata Kushtetuese”, në përfundim të mbledhjes së radhës së Këshillit Politik që po punon për draftimin e Reformës Zgjedhore. “Ky është propozimi i ri që bëri PD. Propozim i panjohur. I lamë ekspertëve kohë që të na përgatisin një opinion pasi ka disa probleme kushtetuese aty. E para sepse në Kolegj Zgjedhor shkojnë shumë çështje të tjera administrative të KQZ-së. Nga kjo pikëpamje ne nuk dhamë një kundërshtim. Vetëm deshëm më shumë kohë dhe ta shikojmë si propozim”, tha ai. “Kemi rënë dakord në parim, për implementimin shkallë-shkallë të teknologjisë, por PD insiston te e saja, prandaj nuk po biem dakord. Edhe për depolitizmin e administratës. Kemi ndarje. Për çështjet e tjera, kamerat rolin e policisë së shtetit, financimit për të gjitha këto jemi ok. Nëse ka konsensus është e mundshme”, tha ai.

I pyetur në lidhje me çështjet e mbetura pezull, Gjiknuri tha se depolitizimi i administratës zgjedhore është i mundshëm. “Përveç kësaj kemi ofruar garanci ekstra që partitë të kenë përfaqësues politikë, por jo vendimmarrës”, tha Gjiknuri, i cili shtoi se mesa duket PD do adminstratë zgjedhore të politizuar. “Nuk është depolitizim të çosh një të zgjedhur nga administrata dhe pjesa tjetër të jetë politike, pra qengji dhe ujqërit aty”, tha ai. I pyetur nëse kjo zgjidhet me një takim Rama-Basha, Gjiknuri tha se, “një takim mes Ramës dhe Bashës është në dorën e tyre dhe i bën shumë mirë Shqipërisë nëse do të kishte një takim të tillë. Ku ka më mirë se liderët poltikë të këtij vendi të ulen në një tryezë”.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Politik se, “sot Këshilli Politik vazhdoi diskutimin për çështjen e rëndësishme që dje shkaktoi debatin e fortë midis palëve në këshill, refuzimin e Partisë Socialiste për të futur verifikimin biometrik të zgjedhësve në çdo qendër votimi të Shqipërisë me qëllimin e vetëm për të bllokuar mbushjen e kutive në mënyrë të paligjshme ditën e votimit”. “Pa u siguruar kjo, çdo numërim do të ishte numërim i pavërtetë, do të ishte numërim i votave të falsifikuara, çdo rezultat zgjedhor i shpallur do të ishte rezultat i manipuluar”, tha ai. “Refuzimi edhe sot nga mazhoranca jo vetëm është një kundërshtim ndaj një nga çështjeve kryesore të opozitës, por bën të pamundur arritjen e konsensusit mbi çështje të tjera të rëndësishme, siç është edhe administrimi i zgjedhjeve dhe shpallja e rezultatit. Po ashtu, roli që do të ketë në të gjithë këtë proces në certifikimin e rezultatit nga Kolegji Zgjedhor”, u shpreh Bylykbashi.

“Ne sot bëmë edhe një propozim në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, në alternativë të propozimeve të mëparshme duke sugjeruar që të jetë Gjykata Kushtetuese. Pra, pa hyrë në detajin e këtij propozimi, të jetë Gjykata Kushtetuese trupa e cila do të shqyrtonte shkeljet e të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe të kandidatëve në zgjedhje. Sigurisht që ky është vetëm një ilustrim por pa arritur konsensusin mbi këto çështje është e pamundur që të shkohet më tej”, theksoi Bylykbashi. “Nëse Partia Socialiste do të reflektojë dhe do të heqë dorë nga taktikat zvarritëse duke pretenduar vetëm zgjidhje të pjesshme të identifikimit të zgjedhësve në mënyrë biometrike në qendër të votimit dhe duke lënë hapësirë që në një numër qendrash votimi të manipulohet rezultati. Pra vetëm duke reflektuar për këtë çështje dhe gjetjen e një kompromisi mbi këtë i hapet rruga kompromiseve të tjera dhe mundësisë për të gjetur zgjidhje për çështje të tjera të rëndësishme për të cilat ne jemi gati të ecim me dakordësi, që janë shumë të rëndësishme, siç është KZQ-ja apo çështje të tjera të rëndësishme të procesit zgjedhor”, theksoi ai.