Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me disa prej çështjeve që ende nuk janë trajtuar për reformën. Ashtu siç ishte njoftuar më herët, katër përfaqësuesit politik dhe ekspertët për Reformën Zgjedhore do të zhvillojnë sot mbledhjen online. Mbledhja do të nisë në orën 10:00 dhe në përfundim të saj do të ketë një prononcim te Kryesia e Kuvendit të dy bashkëkryetarëve të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.
Më herët, Gjiknuri ka deklaruar se puna e tryezës së Reformës Zgjedhore do të mbyllet brenda majit. “Synimi është që brenda majit ne të mbyllim gjithë procesin e konsultimit politik për të gjetur të gjitha marrëveshjet e nevojshme për pikat e diskutueshme për të arritur në kompromis. Besoj se qershori është mëse i mjaftueshëm për të ndjekur procedurat në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe më pas në Kuvendin e Shqipërisë”, është shprehur ai më herët.
Gjiknuri ka deklaruar se “kemi akoma dy çështje të patrajtuara, problemin e reformës së sistemit zgjedhor, propozimet që ka sjellë opozita jashtëparlamentare dhe si kërkojmë të adresojmë disa probleme të mbetura, dhe për këtë duhet të biem dakord të vazhdojmë përpara duke përfshirë ekspertizën e ODIHR”. Reforma Zgjedhore dhe mbyllja e saj është një nga kërkesat e BE për të ecur para me proceset integruese të vendit.