Një takim me parukierin nuk do të jetë më si më parë. Një nga bizneset e konsideruara me rrezik mesatar për përhapjen e COVID-19, parukeritë pritet të hapin dyert të hënën e 11 Majit, sikurse është njoftuar. Dhe sigurisht, në rast se pas hapave të parë që u ndërmorën nuk do të kemi një pasqyrim të shtimit të rasteve.
Por hapja e parukerive do të shoqërohet me kushte të reja për punonjësit e tyre dhe masa mbrojtëse për klientët.
Punonjësit duhet të jenë të pajisuar me doreza, maska dhe të kryejnë dezinfektimin e duarve menjëherë pas ardhjes në punë si dhe para dhe pas çdo klienti që shërbehet.
Ndërkohë që si personeli i punësuar ashtu edhe personat e tjerë klientë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Rekomandohet përdorimi i maskave sa më profesionale apo mjekësore.
Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Veshje plastike për këpucët përdorin edhe ofruesit e shërbimit nëse nuk përdorin këpucë/ shapka të brendshme sterile.
Në hyrje dhe dalje subjekti duhet të ofrojë produktin higjenizues të duarve për personelin dhe këdo që hyn e del në ambientet e brendshme dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkol.
Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim. Subjekti riorganizon vendosjen e vendeve të punës si karrige, poltrona, krevatë etj. sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm.
Në rast të pamjaftueshmërisë së hapësirës subjekti shërben aq klientë sa i lejon hapësira duke respektuar detyrimin e mësipërm. Në ambientet me hapësirë mbi 40 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti duke riorganizuar vendosjen për ruajtjen e distancës midis klientëve.
Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i rradhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.
Çdo pajisje pune si gërshërë, makina qethëse, furça, krehër, pjastra, pajisje depiluese, kapëse plastike, mjete pune druri, metalike apo plastike etj. duhet dezinfektuar/sterilizuar për çdo klient si dhe para e pas mbylljes së aktivitetit ditor. Për pajisjet metalike të punës rekomandohet edhe përdorimi i sterilizimit me autoklava.