Përmes një postimi në Facebook, ministrja Olta Xhaçka ka publikuar shifrat e përfaqësimit dhe përfshirjes së grave e vajzave në fushën e mbrotjes. “2020-ta shënon 20-vjetorin e rezolutës 1325 të OKB-së: Gratë, paqja dhe siguria.

Në takimin e posaçëm të OSBE, kryesimin e së cilës aktualisht e ka vendi ynë theksova se përfaqësimi gjithnjë e më i lartë i grave në sektorin e mbrojtjes përbën një vlerë të shtuar, në axhendën e të drejtave të grave e vajzave në shoqërinë shqiptare në tërësi.

Edhe më shumë vullnet politik duhet për zbatimin e plotë të rezolutës, ndërsa shifrat tona të përfaqësimit të grave e vajzave në fushën e mbrojtjes flasin më së miri për investimin e duhur për të drejtat e grave e vajzave në vendin tonë”, shkroi ministrja.

Më tej shtoi: “· 18.6% e punonjësve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura janë gra e vajza. · 14% e efektivëve të Forcave të Armatosura janë gra e vajza. · 33% e rekrutimeve për kandidatë për oficerë të rinj në fund të vitit 2019 janë gra e vajza. · 10% e pozicioneve drejtuese në radhët e ushtarakëve dhe 22% në radhët e civilëve mbahen nga zonja.”