“Vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tregon se procesi i integrimit të BE është ende funksional dhe ende duke vazhduar me dinamikën e duhur në Ballkanin Perëndimor”, tha sot në intervistë, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
“E para, përgjatë presidencës kroate ka dy vendime të rëndësishme që lidhen me procesin e zgjerimit. Përkatësisht vendimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tregon se procesi i integrimit të BE është ende funksional dhe ende duke vazhduar me dinamikën e duhur në Ballkanin Perëndimor, prandaj në vend që të fokusohemi në zhvillimin e djeshëm të Samitit të Zagrebit duhet ta shohim në përgjithësi trendin e procesit të zgjerimit dhe angazhimin e presidencës kroate në veçanti gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Cakaj.
“Ndërkaq, takimi i djeshëm për shkak të rrethanave të jashtëzakonshëm të shkaktuar nga pandemia ka qenë kryesisht i fokusuar të forcimi i masave të përbashkëta për tejkalimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19 me fokus të veçantë në konsolidimit e sistemit shëndetësor dhe lehtësimin e pasojave shoqërore dhe ekonomike që ka krijuar pandemia. Në këtë kuptim nuk ka një anashkalim të çështjes së zgjerimit, fokusi ka qenë të COVID-19, por procesi i zgjerimit është konkretizuar me vetë faktin e çeljes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
I pyetur nëse ka rrezik që Europa të shfokusojë interesin e saj për zgjerimin për shkak të pandemisë, Cakaj tha: “Bashkimi Europian ka dhënë një mbështetje të pakursyer multimilionëshe për Ballkanin Perëndimor dhe kjo tregon se gjatë gjithë kësaj periudhe Ballkani Perëndimorë realisht është trajtuar si pjesë integrale e BE sa për sa i përket menaxhimit të kësaj situate. Për më tepër BE ka ndihmuar Shqipërinë në disa nivele duke filluar nga të mundësuarit për të qenë pjesë e prokurimeve të përbashkëta, dhënia e qasjes në fondin e solidaritetit, të gjithë mbështetjen teknike dhe financiare që kanë dhënë për shëndetësinë dhe pasojat ekonomike dhe shoqërore, dhe kjo tregon se realisht nuk ka pasur një zhvendosje të fokusit”.
“Ndërkaq për sa i përket kryerjes së detyrave për të vazhduar tutje në rrugëtimin europian, ajo çfarë mund të them është se rrethanat janë të jashtëzakonshme dhe mbase dinamika mund të ketë rënë për sa i përket implementimit të detyrave tona që vijnë edhe si rrjedhojë e konkluzioneve të fundit të Këshillit, por ajo çfarë është e rëndësishme ne kemi ruajtur fokusin në ndërtimin e grupit negociator, në krijimin e planit të veprimit në të gjitha detyrimet që vijnë nga përfundimet e Këshillit dhe kësisoj në momentin që do të rihapet sfera publike sikur më parë, duhet të jemi në nivelin e duhur që të mos humbim kohë por të shkojmë drejt konferencës së parë ndërqeveritare”, tha ai
Në lidhje me kriteret e caktuara më 24 mars me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Cakaj sqaroi së pari se vendimi për çeljen e negociatave ndonëse ka qenë me kushte, Shqipëria ka filluar punën pikërisht në fazën që duhet të fillojë secili vend që do të hapë bisedimet, përkatësisht punën për përgatitjen e kornizës negociuese dhe vazhdimin e procesit të përpilimit të planit të veprimit për afrimin e legjislacionit vendor me atë europian. “Në këtë kuptim edhe se është një po e kushtëzuar kjo nuk do të thotë se ne jemi duke humbur kohë. Fakti se BE i ka dhënë Shqipërisë qasje në fondin e saj të menaxhimit të situatës së pandemisë tregon se Shqipëria është një vend që po negocion sepse në atë fond janë pjesë vetëm vendet që negociojnë me BE”, u shpreh Cakaj.
“Sa i përket kushteve ne mbetemi të përkushtuar për të zbatuar të gjitha kushtet që janë paraqitur në konkluzionet e këshillit, pa asnjë diskutim. Ne vetëm kemi përgatitur planin e veprimit për zbatimin e tyre, do të diskutohet me gjithë aktorët politik në Shqipëri, me të gjithë ata që duhet të përfshihen në këtë proces, sepse ky është një proces që shkon përtej qeverisë, është një proces që u takon të gjitha institucioneve në Shqipëri dhe shoqërisë shqiptarë në përgjithësi ndaj përkushtimi unë është i pa lëkundur që dalin nga konkluzionet e fundit të këshillit”, tha ai.
Në vijim, Cakaj tha se “reforma elektorale nuk është një proces që mund të mbyllet njëanshëm. Natyrisht procesi i diskutimit për reformën elektorale do vazhdojë dhe kjo nënkupton dhe përfshirjen e opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare në proces, jo vetëm thjesht për të kryer një detyrim me përmirësimin e cilësisë së procesit zgjedhor në Shqipëri, por tashmë dhe një proces i rëndësishëm në rrugëtimin europian të Shqipërisë, pra po flasim për të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në sistemin zgjedhor në Shqipëri”.
Në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Cakaj tha se është tepër e rëndësishme të nënvizojmë faktin së Shqipëria ka aplikacion publik për të marrë një ulëse si vend jo anëtar ië përhershëm në Këshillin e Sigurimit. “Votimi do të jetë vitin e ardhshëm, ndërkaq mandati do merret nga viti 2022-2023. Ne kemi bërë një punë të madhe për sigurimin e agjendës për punën tonë dhe sigurisht edhe në fjalën time do shpalos arritjet e Shqipërisë, vlerat politike që ne përfaqësojmë, atë që kemi bërë në stabilitetin e rajonit në përmirësimin e procesit të bashkëpunimit rajonal, marrëdhëniet tona dhe aspiratën për t’u anëtarësuar në BE dhe qëndrimin tonë se zgjerimi i BE është thelbësor për zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit, angazhimin tonë për të qëndruan në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE. Do nënvizoj dhe kontributin tonë si kryesi e OSBE-së, si anëtar i NATO-s me kontribut të konsiderueshëm në shumë vende në përpjekje për të ndërtuar paqen. Ndaj Shqipëria plotëson të gjitha kushtet për të qenë anëtare e Këshillit Sigurimit për vitin 202-2023”, tha ai.