Nga nesër e hënë, futbolli në Itali dhe konkretisht Seria A, do të japë shenja të rikthimit gati dy muaj pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit. Janë kryesisht skuadrat e rajonit të Emilia-Romanja ata të cilët kanë njoftuar të parat për rikthimin në stërvitje.
Klubi i Sassuolo-s është i pari që do të zbresë nesër në fushën e gjelbër. Klubi ka njoftuar se futbollistët do të mund të stërviten veçmas me ushtrime bazike në qendrën stërvitore të Mapei-t. Sigurisht që vazhdimi i stërvitjes individuale përkon me zbatimin e një protkolli të veçantë, që pikën kryesore ka distancimin fizik. Stërvitjet do të kryhen vetëm në mëngjes, ndërsa për futbollistët do të jetë e ndaluar hyrja në dhomat e zhveshjes, në palestra dhe zyra.Sakaq po me lejen e rajonit të Emilia-Romanja edhe Bologna ka njoftuar se nga e marta do të nisë stërvitjet individuale të futbollistëve. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Parma, veçse nuk ka bërë të ditur datën, por ka deklaruar se javën e ardhshme futbollistët do të zbresin në qendrën stërvitore. Sakaq edhe Napoli i ka bërë kërkesë drejtuesve vendorë për të nisur stërvitjen dhe është në pritje të një konfirmimi.
E gjithë kjo ka futur në konflikt drejtuesit e rajoneve në Itali me qeverinë qendrore, pasi këta të fundit e konsiderojnë të nxituar këtë hap. Sipas tyre duhet pritur ende, ndërsa javën e kaluar në konsideratë është marrë edhe ndërprerja përfundimtare e kampionatit, por me hapin e fundit duket se Seria A do të mbyllet në fushë.