Nuk ka në asnjë cep të shkresës së ISHSH me firmën e kryeinspektores Vjollca Braho, ku të kërkohet mbyllja e TV Ora. Në shkresën me numër protokolli 645 të datës 15 maj 2020, njoftohet kreu i AMA Gentian Sala se janë marrë dy masa administrative ndaj TV Ora për shkelje të ligjit “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive”, dhe akti normativ për këto masa që shoqëron këtë ligj, të cilin po e botojmë në faksimilen e mëposhtme.
Zonja Braho me cilësinë e kryeinspektores së ISHSH njofton zyrtarisht AMA-n se janë marrë dy masa administrative përkatësisht në datat 14 dhe 15 maj 2020 ndaj këtij televizioni, me vlerë nga 1 milionë lekë të reja, për shkak se kanë pasur në emisionet “Tempora”, “Arena” dhe “360gradë” më shumë se dy persona.
Bashkangjitur ka dërguar dhe praktikat e inspektorëve për këto veprime ligjore dhe kaq. Asnjë fjalë për kërkesë për mbylljen e televizionit. “Nisur nga informacione dhe formulime të ndryshme mediatike, mbi vendimarrje të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, për mbyllje të subjektit ORA News, bëjmë me dije se, nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni.
Për rastin konkret, ka pasur një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje ditën e mërkurë, 13.05.2020, nga AMA, për subjektin ORA News për shkelje të udhëzimeve të Aktit Normativ, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga Covid-19.
Më pas, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, dega Tiranë, më datë 14.05.2020, ka evidentuar shkelje të përsëritur nga ky subjekt audioviziv, për prezencë në studio të më shumë se dy personave, duke akorduar gjoba, bazuar në ligjin 15|2016 “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive”, Aktin Normativ nr. 3 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohës zgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”.
Për këtë vendim ISHSH ka njoftuar me shkresë zyrtare AMA-n më datë 15.05.2020”, thuhet ne nje reagim te AMA-s.