Me vetëm katër të infektuar për të tretën ditë radhazi, kurba e infektimeve nga Covid-19 ka rënë në një minimum që nuk vërehej që nga faza fillestare e shpërthimit të epidemisë. Që nga momenti kur babë e bir u shndërruan në pacientët zero në datën 9 mars, asnjëherë Shqipëria nuk ka pasur më pak raste se në këto tre ditët e fundit.

Minimumi i katër të infektuarve është regjistruar sporadikisht në tre data të mëhershme, në 15, 17 dhe 18 mars, por kjo u pasua nga një rritje graduale që në pikun e saj, në 25 prill arriti në 34 raste në ditë. Ndërsa kurba e tre ditëve të fundit vjen pas një reduktimi gradual, shenjë e qartë që virulenca ka rënë nën RO 1, e që vendi po shkon drejt kalimit të plotë të kësaj situate.

Norma e RO është një tregues ndërkombëtar që mat infektshmërinë e sëmundjes. Në fillimin e saj, RO i Covid-19 ishte 2.4, që do të thotë se një person i infektuar e përçonte sëmundjen mesatarisht në 2.4 persona të tjerë. Ndërsa tani, kjo normë është qartësisht nën nivelin e 1. Si rrjedhojë, rastet aktive në Shqipëri në dy javët e fundit janë në rënie drastike.

Nga maksimumi i 289 rasteve i shënuar në prill, aktualisht në Shqipëri vijojnë të jenë të prekur vetëm 161 persona. Prej rreth 3 javësh, numri i të shëruarve është kontant më i lartë se numri i të prekurve. Ndonëse trajektorja e Covid-19 jep arsye për optimizëm është ende e parakohshme të vlerësohet se epidemia ka kaluar përfundimisht nga vendi ynë.

Efektet e hapjes graduale janë ende të paqarta sepse nevojiten të kalojnë dy javë për të vlerësuar efektin që jep çdo masë dhe një rritje e re afatshkurtër e virulencës, ashtu siç ka ndodhur në shumë vende europiane pas hapjes, nuk është ende një skenar që mund të përjashtohet. Sipas OBSH, epidemia e Covid-19 mund të kalojë plotësisht nga Shqipëria në rastin më të mirë në korrik dhe në skenarin më negativ (nëse nuk ka të papritura), në muajin tetor.