Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “Teatri nuk do të ndërtohet me para të buxhetit të shtetit, nuk do të hidhet asnjë qindarkë nga fondet e buxhetit të shtetit që do të përdoren për tërmetin apo për të adresuar problematika që lidhen me pasojat e COVID”.
“Teatri kombëtar do të ndërtohet me financimin e bashkisë së Tiranës 100%, me garanci sovrane të qeverisë, që do të thotë me financim që do të merret si kredi për të ndërtuar teatrin e ri”, u shpreh Rama.
“Ne çfarë kemi thënë do ta bëjmë edhe për ata që presin të ndërtojnë shtëpitë, edhe për ata që prisnin të merrnin mbështetje të drejtpërdrejtë nga ato kategori që kemi deklaruar dhe sot që po flasim e kanë marrë pagën e luftës, e kanë marrë bonusin 400 mijë lekë, kanë marrë edhe transhin e dytë të pagës së luftës, do të marrin edhe transhin e tretë dhe ndërkohë vazhdojnë verifikimet dhe pagesat, vazhdojnë miratime pozitive ankesash”, theksoi kryeministri.
“Ata të cilët mezi presim ndërtimin e teatrit të ri janë shumë. Janë shumë. Atje nuk është Viktor Zhusti, atje nuk është Luftar Paja, atje nuk është Leka Bungo, atje nuk është Pëllumb Kulla, atje nuk është Robert Ndrenika, atje nuk janë shumë e shumë të tjerë”, u shpreh kryeministri duke iu referuar protestave për godinën e teatrit.
Në lidhje me godinën e vjetër të Teatrit, Rama tha se ajo godinë s’ka qenë asnjëherë e regjistruar në listën e monumenteve të kulturës, por, siç tha ai “një magazinë e ndërtuar me tallash edhe me teneqe nga ushtria italiane për të argëtuar ushtarët.