Si kurrë më parë, sezoni veror në Shqipëri po përballet me protokollet e diktuara nga pandemia globale. Në një lidhje direkte me studion e emisionit “Java në RTSH”, kryebashkiaku i Vlorës shpjegoi masat, risitë dhe pritshmëritë për turistët. Dritan Leli tha se për fat të mirë Vlora pati shumë pak raste të qytetarëve me Covid-19 çka i jep më tepër siguri pushuesve. Ai shtoi se vija bregdetarë pavarësisht së është e vështirë për t’u menaxhuar për shkak të gjatësisë së saj, bashkia ka nisur punën për kontrollet e njësive të shërbimit. “Pastrimi i plazheve ka vijuar dhe vijon dita-ditës. Ne kemi siguruar një koordinim me policinë dhe strukturat e tjera për të ushtruar kontrollet e nevojshme. Sigurisht që respektimi i distancave dhe hapësirave është një nga elementët kyç të diktuar nga situate” – tha Leli.
Ai shtoi se Bashkia e Vlorës vijon konsultimet me operatorët turistikë dhe përgatitja për këtë sezon është pozitive. Leli shtoi se edhe Vlora pret me padurim protokollin nga Ministria e Shëndetësisë për të qenë më të qartë sesi do të veprohet gjatë pushimeve. “Këtë vit në Vlorë është shtuar sipërfaqja e plazheve publike, pa pagesë. Ky sezon mbi të gjitha është një sfidë që kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim” – tha Dritan Leli në studion e “Java në RTSH”.
Për kryebashkiakun e Pogradecit, investimet e kryera dhe ato në process do t’i japing facilitetet e nevojshme pushuesve. Ilir Xhakolli tha se Pogradeci përballet me një sezon më të gjatë turistik, plot 110 ditë nga maji në shtator. “Ne kemi bërë ndërhyje në infrastrukturë dhe kemi liruar hapësirat për të siguruar plazhe publike. Dihet që Pogradeci është një qytet i dashur për të gjithë dhe ju siguroj se shtëpitë që jepen me qira për turizëm familjar tashmë janë prenotuar të gjitha” – tha Xhakolli duke shtuar se çmimet në Pogradec nuk kanë ndryshuar dhe mbeten të ulëta si gjithmonë.
Ai shtoi se ambicia e bashkisë ështqë që Pogradeci të kthehet në “qytetin e luleve”.
Ndërkohë, Tropoja po përballet me një problematikë që lidhet me anulimin e prenotimeve. Lajmin e dha nënkryetari i bashkisë, Abedin Kërnaja. Ai u shpreh se edhe transporti ndërqytetas apo hapja e kufirit me Kosovën do ta ndihmonin shumë turizmin kryesisht në Luginën e Valbonës. “Problemi kryesor në Tropojë është anulimi i prenotimeve të disa bujtinave. Unë shpresoj që turistët të reflektojnë dhe të vijnë. Aktualisht jemi në pritje të hapjes së kufirit me Kosovën pasi Tropoja pikun e turizmit e ka në gjysmën e qershorit” –tha Kërnaja në lidhje direkte me “Java në RTSH”.