Pandemia Covid 19, i cilësuar si amiku i padukshëm, ka shkaktuar deri më sot rreth 366 mijë viktima, por një tjetër armik i dukshëm, duhani vret çdo vit 8 milionë njerëz. Sot është dita botërore kundër duhanit një ditë ndërgjegjësimi, për ndkimin që ka duhani në shëndet dhe sidomos për të larguar të rinjtë nga duhanpirja.

Shqipëria prej vitesh ka miraturar një ligj kundër duhanit, si dhe janë forcuar masat që në zbatim të ligjit të mos pihet duhani në ambiente te mbyllura.

Përmes një postimi në Facebook, ish Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj e cilëson histori suksesi nivelin e kënaqshem të zbatimit të ligjit ne vend. Megjithate përmes një postimi në Facebook ai thotë se sfida vazhdon. Sidomos me të rinjtë dhe me format e reja që ofrohen nga industria e duhanit.

Nga gjithë popullsia e globit prej 7,5 miliardë banorë, konsumuesit e duhanit vlerësohen në rreth një miliard, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.Kina ka numrin më të madh të duhanpirësve. Po sipas OBSH një person vdes çdo gjashtë sekonda në planet për shkak të duhanit. Dhe duhanpirja vlerësohet si ndër shkaqet kryesore të kancerit të mushkërive.

Postim i plotë nga Beqaj:

Sot është 31 maj. Dita botërore e luftës kundër duhanit. Është viti i 6-të që në Shqipëri ka një nivel të kënaqshëm të zbatimit të legjislacionit që rregullon mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Nuk ka qënë gjithmonë kështu edhe pse kuadri ligjor ka qënë në fuqi që prej vitit 2006. Niveli i kënaqshëm i zbatimit të legjislacionit është një histori suksesi (midis shumë të tjerash) për qeverinë e Edi Ramës. Mundësia për të punuar për disa vite në nivelin e lartë drejtues të sektorit të shëndetësisë edhe më ka dhënë privilegjin që të jem pjesë aktive e kësaj historie suksesi, edhe ka shënuar një arritje të spikatur në aktivitetin tim publik dhe politik.

Niveli i kënaqshëm i zbatimit të legjislacionit është një histori suksesi edhe për vetë shoqërinë shqiptare. Sot ky legjislacion zbatohet me një nivel të kënaqshëm nga vullneti i vetë qytetarëve shqiptarë. Qoftë duhanpirësit, qoftë administratorë të sipërmarrje të ndryshme bare, restorante, dyqane, qendra tregëtare, etj janë gjithmonë e më shumë të vetdijshëm për mbrojten e shëndetit të të gjithëve, për mosbezdisjen e të tjerëve rreth tyre, për heqjen e erës jo të mirë nga veshjet personale. Është nga të paktat raste kur edhe pse legjislacioni përmban edhe ndëshkime administrative, sukesi i zbatimit nuk është bazuar mbi ndëshkimet.

Sot, kjo histori suksesi mund t’ia vlejë të analizohet si u bë e mundur. Hap, pas hapi. Edhe përmirësimet legjislative, edhe komunikimi aktiv me publikun, edhe struktura administrative mbështetëse, edhe trainimi i personelit, edhe bashkërendimi dhe koordinimi i disa institucioneve njëherazi, edhe zbatimi rigoroz uniform i ligjit, edhe shmangia e abuzimit me detyrën, shmangia e zbatimit të pjesshëm si mundësi konkurrence të pandershme. Si një model që mund të përdoret në të ardhmen nga qeveria kur përgatit udhërrëfyes për reforma të ndryshme.

Sfida vazhdon. Sidomos me të rinjtë dhe me format e reja që ofrohen nga industria e duhanit.

Së fundmi, një falenderim të ndjerë për të gjithë bashkëpunëtorët e mij të viteve 2014 – 2015, pa përkushtimin e të cilëve kjo arritje nuk do të kish qënë e mundur.