Eksportet bujqësore shqiptare po vijojnë me trend në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, favorizuar nga sezoni me prodhimtari të lartë dhe kërkesa e shtuar nga tregu i huaj.
Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve Vlorë, bëri të ditur për ATSH-në se, “janë 289 kamionë nga Lushnja dhe Fieri, që kanë eksportuar prodhime të freskëta bujqësore në vendet e rajonit dhe më gjerë, vetëm gjatë javës së kaluar, 15-22 maj 2020”.
Sipas të dhënave të fundit nga kjo agjenci, produktet bujqësore që po eksportohen, janë kryesisht prodhime të stinës: presh, lakër, karota, lulelakër, luleshtrydhe, speca, domate, qepë, dhe harta gjeografike e eksporteve përfshin Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Austrinë, Bosnjën, Serbinë.
Fermerët punojnë në kushtet e respektimit të masave të sigurisë të mbrojtjes kundër COVID-19, duke përdorur doreza dhe maska, shprehen ekspertët e Agjencisë Rajonale të SHVMB.