Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatarin e ri të qeverisë së vendit, deri në një vendim meritor, ka thënë se do të kujdeset që Kuvendi t’i ndërmarrë të gjithë hapat në përputhje me vendimin e Gjykatës dhe ka ftuar të gjithë udhëheqësit politikë e institucionalë që t’i respektojnë vendimet e kësaj gjykate, pavarësisht nëse pajtohen me to ose jo.
Osmani ka vlerësuar lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara.
‘Në funksion të kësaj, unë i kam drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese komente (në afatin që ishte caktuar nga ana e Gjykatës), me të cilat kam arsyetuar pse vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës për pjesën meritore të rastit. Në këto komente kam sqaruar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tone politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni. Në këtë mënyrë, përveç se është në përputhje të plotë me interesin publik, vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”, thuhet në deklaratën e Osmanit.
Si kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe njeri i që respekton gjithnjë vendimet e institucioneve të pavarura, do të kujdesem që Kuvendi t’i ndërmarrë të gjithë hapat në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe i ftoj të gjithë udhëheqësit politikë e institucionalë që t’i respektojnë vendimet e kësaj gjykate, pavarësisht nëse pajtohen me to ose jo.