Nga Enver Robelli
Zef Mazi është ndër diplomatët e paktë shqiptarë që ka përvojë të madhe në politikën ndërkombëtare – ka qenë ambasador në Londër, i dërguar i Tiranës në OSBE dhe zyrtar i lartë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore të OKB-së. Një pjesë të punës së tij profesionale Mazi ia kushtoi Kosovës. Tani Zef Mazi është emëruar drejtues i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një emërim i qëlluar, ndonëse gjasat për fillimin e negociatave me Brukselin tani për tani duken të vogla
Kur në vitin 2010 vdiq Norman Wisdom, aktori i njohur britanik, një pasardhës i denjë në skenë i Charlie Chaplinit, BBC-ja e ftoi në studio diplomatin shqiptar Zef Mazi. Nuk bën vaki shpesh që diplomatë të vendeve të vogla të thirren në studio mediash të njohura për të folur për aktorë apo personalitete të tjera të jetës kulturore. Zakonisht ambasadorët e vendeve të vogla intervistohen nga mediat prestigjioze kur nga vendet e tyre vijnë lajme të këqija: kriza politike, tensione të mëdha, luftëra civile.
Në intervistën e shkurtër për BBC-në, Zef Mazi tregoi se përse Norman Wisdom ishte i popullarizuar në Shqipëri. Ai ishte ndër aktorët e paktë perëndimorë filmat e të cilit ishin të lejuar në Shqipëri. Norman Wisdom luante shpesh rolin e punëtorit proletar që lufton kapitalizmin. Në vitin 1995 ai vizitoi Shqipërinë, ku u prit me entuziazëm nga shumë fansa dhe nga kryetari i atëhershëm, Sali Berisha. Wisdom vizitoi një projekt të financuar nga Britania e Madhe për përkrahjen e fëmijëve dhe u shpall qytetar nderi i Tiranës. Më 2001 aktori erdhi sërish në Shqipëri – kësaj radhe për të parë ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Anglisë, për të cilën atëbotë luante David Beckham. Kështu Tirana mirëpriti dy yje britanikë. Në intervistën e tij për BBC-në, Zef Mazi lë përshtypjen jo të një diplomati inferior ballkanik, por të një zotërie (apo zotnie, siç thuhet në Shkodër, qytetin e origjinës së Zef Mazit), i cili flet një anglishte që është muzikë për veshë.
Gjatë fundjavës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se e ka emëruar Zef Mazin drejtues të bisedimeve për anëtarësim në BE. Ky emërim është befasues. Mazi ka qenë një kritik i ashpër i shumë veprimeve të Qeverisë së Ramës. Caktimin e Gent Cakajt në postin e ushtruesit të detyrës së ministrit të Jashtëm në Tiranë, Mazi e ka quajtur “një turp”, duke e akuzuar politikanin e ri dhe ambicioz si të papërvojë. Para se Shqipëria të merrte kryesimin e OSBE-së, Mazi pyeti: “I njeh Kryetari ynë i Radhës mandatet e këtyre misioneve (të OBSE-së), pikat kyçe të tyre, zbatimin e tyre, qëndrimet e shteteve rreth tyre, etj.? Sot bëhen një numër mbledhjesh çdo javë në OSBE, në Vjenë. Për t’i drejtuar ato mirë duhet përvojë e gjatë diplomatike, duhet kompetencë e madhe në organizata ndërkombëtare. (…) Kryesia e Radhës e një organizate, si OSBE-ja nuk është as lojë volejbolli, as basketbolli”.
Nëse ka diçka që nuk i mungon Zef Mazit, atëherë ajo është përvoja diplomatike. Filolog, historian dhe jurist, Zef Mazi ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Londër, si përfaqësues i Shqipërisë në OSBE dhe së fundi si asistent i posaçëm i drejtorit të përgjithshëm për strategji në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) me seli në Vjenë. Një pjesë të konsiderueshme të punës së tij profesionale Zef Mazi ia ka kushtuar Kosovës. Që në vitet ‘90 ai ishte një mbështetës i sinqertë i lëvizjes për pavarësi të Kosovës dhe bashkëpunëtor i kryeministrit Bujar Bukoshi. Përveç angazhimit për Kosovën në forumet ndërkombëtare, Mazi ka shkruar edhe një sërë punimesh mbi të drejtën e Kosovës për pavarësi dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Këto punime janë botuar në institute dhe universitete të njohura perëndimore.
Nuk ishte befasi që Mazi kundërshtoi idetë mbi prishjen e kufijve të Kosovës – ide kjo që ka gjetur përkrahës në Prishtinë dhe nuk është kundërshtuar në mënyrë aktive nga Qeveria aktuale në Tiranë. Shkëmbimi i territoreve, sipas Mazit, “rrëzon raison d’etre të paprekshmërisë të kufijve të Kosovës qëkur ajo ishte krahinë autonome e ish-RSFJ-së, të paprekshmërisë dhe të kompaktësisë të territorit të Kosovës. Nëse ndodh, ajo do të ecë drejt delegjitimimit edhe të luftës së NATO-s dhe të vetë pavarësisë së Kosovës, me ndihmën edhe të Shqipërisë në këtë rast, apo të ndonjë drejtuesi të saj e të Kosovës, në emër gjoja të vendosjes të një paqeje të gjerë, të qëndrueshme, paketë, në këtë zonë të turbullt të Ballkanit. Ajo do qesë në asgjë për çka edhe u bë gjithë ajo përpjekje e vuajtje popullore të disa brezave, mbi 100 vjet me radhë, dhe ajo luftë e gjakderdhje e madhe, deri sa u arrit pavarësia”.
Emërimi i Mazit vjen në një moment kur Qeveria e Edi Ramës, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë bërë edhe një hap drejt shembjes së godinës së Teatrit në kryeqytetin shqiptar, me synimin që aty të ndërtohet diçka e re. Kritikët këtu shohin një përpjekje për t’ia falur ca tokë të vlefshme oligarkëve, të cilët do të ndërtojnë një teatër ndoshta futurist dhe rreth e rrotull ndërtesa të tjera, të cilat mund të jenë burim i madh parash në të ardhmen. Argumenti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës se teatri i tanishëm na qenkësh një mbetje e fashizmit, është – thënë më së buti – qesharak, sepse me këtë argument do të duhej rrëzuar gjysma e qendrës së Tiranës, që është ndërtuar nga arkitektët e Italisë fashiste.
Emërimi i Mazit mund të jetë një lëvizje për të larguar pak vëmendjen nga konflikti i ashpër mbi teatrin. Gjasat që Mazi të fillojë negociatat për hyrjen e Shqipërisë në BE tani për tani janë minimale, duke pasur parasysh mungesën e gatishmërisë së Brukselit për të integruar dhe anëtarësuar vendet e Ballkanit. Sidoqoftë, emërimi i Mazit, nëse nuk është bërë për efekt propagandistik, tregon se Edi Rama ende ka një talent për befasi të këndshme.
Në vitin 2002, Mazi ishte kandidat për president të Shqipërisë. Nuk u bë president për shkak se liderët e atëhershëm të Shqipërisë vendosën ndryshe. Dhe gabuan. Mazi ishte i denjë për president. Dhe i denjë është tani edhe për t’i drejtuar negociatat e Shqipërisë për hyrje në BE, ndonëse – edhe këtë duhet thënë – në karrierën e tij të gjatë, mbi 40-vjeçare në diplomaci, ai nuk është marrë direkt me raportet mes Shqipërisë dhe BE-së.