Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore, për herë të dytë festohet më 7 Qershor 2020 dhe synon të tërheqë vëmendjen dhe të frymëzojë aktivitete për të ndihmuar në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e sëmundjeve që derivojnë nga ushqimi, duke kontribuar në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, prosperitetin ekonomik, bujqësinë, aksesin në treg, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bën të ditur se, Organiza Botërore e Shëndetësisë (OBSH) , në bashkëpunim me Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO), nën fushatën me temë “Siguria ushqimore, çështje e të gjithëve” dhe Autoritetin Europian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), promovon ndërgjegjësimin global për sigurinë ushqimore dhe i bëjnë thirrje vendeve dhe vendim-marrësve, sektorit privat, shoqërisë civile, organizatave të Kombeve të Bashkuara dhe publikut të gjerë që të ndërmarrin nisma.

Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët ndërmjet qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve. Të gjithë kanë një rol për të luajtur nga ferma në tavolinë për të siguruar që ushqimi që konsumojmë është i sigurt dhe nuk do të shkaktojë dëme në shëndet. AKU apelon në këtë ditë për: Forcimin e politikave që sigurojnë ushqim të sigurt dhe të ushqyeshëm për të gjithë; Rriteni të sigurt – Bujqësia dhe prodhuesit ushqimorë është e nevojshme të adoptojnë praktika të mira; Mbajeni të sigurt – Operatorët e biznesit duhet të sigurohen që ushqimi është i sigurt; Hani të sigurt – Të gjithë konsumatorët kanë të drejtën e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm; Bashkohuni për sigurinë – Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët.